Tre persona të vrarë në radhët e grupit të armatosur serb që ka sulmuar policinë këtë të diel, janë konfirmuar nga autoritetet në Kosovë.
Policia e Kosovës njofton se një sulmues është vënë në pranga. Ndërsa tre qytetarë që janë gjetur me radio ilegale dhe të dyshimta janë arrestuar në zonën e fshatit Rudare.
Ndërsa në një banesë, gjatë kontrolleve të policisë, janë gjetur mjete të dyshuara ushtarake, uniforma ushtarake si armë dhe municion të kalibrave të ndryshëm.
Policia e Kosovës vazhdon t’iu bëjë thirrje grupeve kriminale që të dorëzohen para organeve të drejtësisë.
Sot, rreth orës 03:00 të mëngjesit në fshatin Banjska të Leposaviçit është sulmuar patrulla policore e Kosovës. Persona të armatosur i kanë bllokuar rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç. Më pas ata kanë qëlluar në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.