Athina vazhdon të përjetojë një situatë apokaliptike. Mbi 60 të vdekur dhe mbi 180 të plagosur. Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi konfirmon se mes të plagosurve është edhe një grua nga Berati.
“Për sa i përket qytetarëve shqiptarë deri tani zyrtarisht kemi të konfirmuar nga Zyra e Emergjencave dhe Zyra e ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Shëndetësisë greke një shtetase të lënduar të cilën ambasada e kontaktoi duke vajtur në spitalin Evangjelizmo. Ajo është totalisht jashtë rrezikut për jetën. Ajo është një 63-vjeçare nga Berati që jetonte në një nga zonat më të prekura nga zjarret. Mbetemi në kontakt me autoritete greke për të marrë të dhëna zyrtare”, tha ambasadorja Ardiana Hodbari.
Ndërkohë jo zyrtarisht gjatë paradites u tha se ka një emigrant shqiptar nga Tepelena ka ndërruar jetë. Por deri më tani ambasada shqiptare në Athinë nuk e konfirmon. Numri i viktimave pritet të rritet në orët në vijim, ndërsa qeveria greke ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, si dhe tre ditë zie kombëtare.