Policia e Shtetit ka dalë me një deklaratë lidhur me pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës në Kamëz. Sipas policisë, Prenga ka ndërruar jetë më datë 17 janar, pra ditën e rrëmbimit, dhe se në resort është dërguar pa shenja jete.
Policia thotë se “Grupi i posaçëm hetimor, pasi siguroi informacione nga burime policore dhe duke përdorur të gjitha teknikat speciale të hetimit të miratuara nga Prokuroria dhe Gjykata në përfundim të analizimit të informacioneve të siguruara krijoi bindjen e plotë të bazuar mbi prova se shtetasi J. P. mund të mbahej peng në resortin në pronësi të shtetasit A. H., banues në Shijak. Mbi bazën e këtyre informacioneve u hartua plan-operacioni dhe u zhvillua operacioni policor i koduar “Resorti”.
Policia e Shtetit thekson se disponon prova të pakundërshtueshme se shtetasi J. P. ka ndërruar jetë më datë 17 janar, pra ditën e rrëmbimit, dhe se në resort është dërguar pa shenja jete.
“Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me prokurorinë, vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë krim, si dhe për gjetjen e trupit të shtetasit J. P”, thuhet në njoftim.
Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij hetimi, si dhe shqetësimin e familjarëve, të cilët janë duke pritur për gjetjen e trupit të shtetasit J. P., policia kërkon mirëkuptimin e gazetarëve dhe analistëve që të mos publikojnë të dhëna të pavërteta që dëmtojnë ecurinë e hetimeve dhe shkaktojnë akoma më shumë traumë psikologjike tek familjarët, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre për publikimet e lajmeve të pavërteta dhe lidhje të tyre me këtë ngjarje.





