4 dhjetor 2015 – Një sipërfaqe prej 128 mijë metrash katrorë tokë pyjore në zonën e Palasës në Himarë me vlerën e 280 mijë eurove është konfiskuar dhe ka kaluar në pronësi të shtetit.

Sipas organit të akuzës, toka ishte marrë në zotërim në vitin 2012 nga Timotheo Dhimolea, përmes falsifikimit të dokumenteve, i cili u dënua me 2 vjet burg.

Dosja e plotë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, mbi bazën e kallëzimit penal të kryer nga Agjencia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave Vlorë, ka regjistruar procedimin penal në vitin 2014, për veprat penale “falsifikimi i dokumenteve” dhe “shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 186 dhe 248 të K.Penal.

Objekt i hetimeve të këtij procedimi penal janë një sërë vendimesh të dhëna nga ZRPP Vlorë, si dhe veprimet e kryera nga personat e interesuar në lidhje me dokumentacionin e depozituar për njohjen e kthimin e pronës, si dhe regjistrimin e tyre në ZRrPP apo veprimet e tjera të mëtejshme për kryerjen e transaksioneve për pronën e paluajtshme të fituar.

Midis të tjerave, nga hetimet ka rezultuar se emër të trashëgimtarëve të Petro Dhimolea, në ZRrPP Vlorë është regjistruar në regjistrin hipotekor, në numrin rendor nr.186, datë 06.06.2012 pasuria e paluajtshme prej 12.8 ha tokë pyjore, e ndodhur në vendin e quajtur Maitka, fshati Palasë, Bashkia Himarë.

Ky regjistrim është kryer mbi bazën e aplikimit të datës 01.03.2012 të kryer nga shtetasi Timotheo Dhimolea, i cili është një trashëgimtarët e subjektit Petro Dhimolea. Si titull i pronësisë në këtë rast është përdorur dokumenti “vendim nr.425, datë 30.12.2008 i Z.R.K.K.P Vlorë”, i shoqëruar me planvendosjen e pronës, sipas të cilit është vendosur njohja e pronësisë dhe kthimi i një sipërfaqe prej 12.8 ha, ndodhur në vendin e quajtur Maitka, fshati Palasë.

Nga hetimet e kryera si dhe nga akti i ekspertimit tekniko grafik me nr.8295, datë 24.08.2015 i Drejtorisë së Policisë Shkencore Tiranë ka rezultuar se, vendimi me nr.425, datë 30.12.2008 i Z.R.K.K.P Vlorë, i si dhe planvendosja e pronës bashkëngjitur këtij vendimi, janë dokumente me përmbajtje të falsifikuar.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton e provuar tërësisht se sipërfaqja e pasurisë së paluajtshme me sipërfaqe totale prej 128.000 m² tokë pyjore është regjistruar në emër të trashëgimtarëve të Petro Dhimoleo me anë të dokumenteve të falsifikuara.

Lidhur me rrethanat e mësipërme, i pandehuri Timotheo Dhimolea është akuzuar se ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”, më shumë se një herë, të parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal dhe çështja penale në lidhje me këtë të pandehur është dërguar për gjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, në përfundim të gjykimit të kësaj çështjeje penale, me vendimin nr.659, datë 03.12.2015, vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Timotheo Dhimolea për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”, të parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim, duke zbritur më pas edhe 1/3 e masës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Po kështu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr. 659, datë 03.12.2015 vendosi edhe dënimin plotësues, konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurisë së paluajtshme me sipërfaqe totale prej 128.000 m², ndodhur në fshatin Palasë, Bashkia Himarë. Duke marrë në konsideratë vlerat e përcaktuara në hartën e çmimeve zyrtare në këtë zonë, vlera e kësaj pasurie është rreth 280.000 euro.

/portali DurresLajm/