Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi konfiskimin e një shume prej 850 mijë eurosh, në favor të shtetit shqiptar, të cilat janë gjetur në llogarinë bankare të shtetases Rovena Kalemi, shumë e cila kalon në favor të shtetit shqiptar. Kalemi, sipas prokurorisë, nuk ka mundur të justifikojë burimin e ligjshëm të të ardhurave të saj. Ndërkohë origjina e vërtetë e tyre dyshohet se janë të ardhura nga aktiviteti kriminal i prostitucionit në Belgjikë.

Hetimi ka vërejtur transaksione të shpeshta bankare në Zvicër, Luksemburg, Gjermani dhe Shqipëri të këtyre sasive të konsiderueshme të parave. Hetimi ka nisur në prokurorinë e Durrësit me dyshimin e pastrimit të parave nga tre persona, dy prej të cilëve shqiptarë dhe një infermier belg, kanë qarkulluar në verën e vitit 2014 rreth 2 milionë euro në llogaritë e tyre.

Sipas pretendimeve të tyre, shtetasja përfituese Rovena Kalemi kishte marrë prej mikut të saj nga Brukseli, Eric Nyssen shuma të konsiderueshme parash, me qëllim blerjen e një apartamenti të përbashkët dhe hapjen e një biznesi privat.

Ata ishin njohur në Belgjikë dhe kishin të vendosur të bashkëjetonin në Shqipëri. Gjithnjë sipas pretendimeve, duke qenë se fillimisht, vajza nuk kishte llogari bankare, ajo i ka kërkuar mikut të saj belg të dërgonte një pjesë të parave në emër të të njohurit të saj, Bledar Corraj. Këto para, shtetasi belg i justifikonte me trashëgimi nga prindërit dhe aktivitete tregtare në Belgjikë, ndërkohë që punësimi i tij zyrtar ishte infermier në një spital publik në Bruksel.

Lëvizjet e dyshimta financiare ndërmjet dy shtetasve shqiptarë dhe shtetasit belg detyruan Prokurorinë e Durrësit që të vendosë sekuestro preventive, mbi llogarinë e saj, e cila ishte e vetmja që në shtator 2014 kishte para në bankë, në shumën rreth 850 mijë euro, pasi pjesën tjetër e kishin tërhequr për shpenzime personale.

Më pas, ky procedim i nisur në Durrës, u transferua në Prokurorinë për Krime të Rënda, e cila është kompetente për zbatimin e ligjit “Antimafia”.

Gjatë hetimeve rezultuan të dhëna interesante. Shtetasi belg, i cili ishte burimi i parave në drejtim të shtetases shqiptare, nuk kishte përfituar asnjë trashëgimi nga prindërit, pasi ata janë ende gjallë. Po ashtu, Nyssen ishte përfshirë në veprimtarinë informale të shit-blerjes me para cash së aksioneve në kompani të ndryshme në Belgjikë. Për blerjen e këtyre aksioneve, ai nuk kishte asnjë mundësi të justifikonte shumat e përdorura.

Ndërkohë, në bazë të letër-porosive me autoritetet belge, Prokuroria për Krime të Rënda vihet në dijeni se shtetasja R. K ka qenë e përfshirë në veprimtari të paligjshme në Belgjikë, duke siguruar të ardhura të shumta.

Paratë e fituara nga ky treg vendoseshin në llogarinë e shtetasit belg, i cili më pas i përcillte në Shqipëri, nëpërmjet transfertave bankare, fillimisht në adresë të Bledar Corrajt dhe më pas te Rovena Kalemi. Kjo e fundit, një pjesë të parave që i mbërrinin në llogarinë e saj, i kryente menjëherë transfertë në llogaritë bankare të disa familjarëve të saj në bankat e Luksemburgut.