Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur dje konfiskimin e pasurive të Angelo Prudentinos, djalit të Albino Prudentinos, i cili sipas medias italiane është një nga bosët kryesorë të organizatës mafioze "Sacra Corona Unita" në vendin fqinj. Vendimi për kalimin tek shteti shqiptar të pasurive të Prudentinos erdhi pas kërkesës së prokurorisë, pasi Albino u akuzua në Leçe të Italisë për "organizim mafioz", "trafik droge" dhe "grabitje në rrethana rënduese". Albino Prudentino u arrestua 2 vjet më parë në Vlorë dhe u ekstradua pas kërkesës nga drejtësia italiane, në janar të vitit të kaluar.
GJYKATA
Vendimi i gjykatësit Gurali Brahimllari është shtrirë mbi 4 kompani ku kishte aksione djali i Albinos, Angelo Prudentino. I çuditshëm është fakti se gjykata ka konfiskuar një pjesë të pasurive të disa shtetasve, por ka vendosur "të falë" Ervis Gjeçajn, duke mos konfiskuar pjesën e tij të aksioneve. Në këtë rast, gjykata i ka dhënë të drejtë prokurorisë kur bëhet fjalë për Prudentinon apo dhe qyetatarë të tjerë si Ventigjar Kaçi, Giuseppe Palma apo Francesko Fornelli. Por, gjykata e ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për sekuestrimin e pjesës së aksioneve të shtetasit Ervis Gjeçaj, i cili është kunati i ministres Majlinda Bregu, duke e quajtur kërkesën e prokurorëve si të pabazuar në ligj.
"BETTING SYSTEM ALBANIA"
Ky është emri i kompanisë që është sekuestruar pjesërisht. 30% e aksioneve që i përkasin Giuseppe Palma (në fakt janë aksionet e Prundentinos i cili i kaloi menjëherë pas arrestimit tek Palma që t'i shpëtonte sekuestrimit) janë konfiskuar nga shteti shqiptar. Ndërkohë, 50% e aksioneve që i përkasin Ervis Gjeçajt, në shumën 10 milionë lekë të reja, nuk janë konfiskuar me argumentimin se kërkesa e prokurorisë nuk bazohet në ligj. "Gjykata vendosi: heqjen e mases se sekuestros mbi pjesën që i përket të Paditurit Ervis Gjegjaj, në shoqërinë aksionare "BETING SYSTEM ALBANIA, 50% të aktivitetit, 50% të aksioneve, 50% të kapitalit, me vlere kontributi 10.000.000 (dhjetëmilionë) lekë, të vendosur me Vendimin nr. 12 datë 07.10.2010, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.", thuhet në vendimin e djeshëm të Krimeve të Rënda.
"BET PLUS"
Një fat tjetër ka patur kompania "Bet Plus" nga simotra e saj. Gjykata vendosi konfiskimin e plotë të aktivitetit të shoqërisë aksionare "BET PLUS", me objekt "Organizimin e lojërave të fatit, sportive-baste sportive", kapitaleve dhe të gjitha të drejtave të kësaj shoqërie. Në vendim përcaktohet qartë se i konfiskohen 900 aksione, 45 përqind e kapitalit dhe 900.000 lekë, djalit të bosit të dyshuar si koka e rrjetit të trafikut të drogës mes vendeve ish-komuniste dhe atyre të BE, Prudentinos. Gjithashtu, pjesë e konfiskimit bëhen edhe anëtarët e tjerë të kësaj shoqërie. "Personit të tretë Ventigjar Kaçi i konfiskohen 100 aksione, 5 përqind e kapitalit dhe 100.000 lekë. Francesco Fornellit i konfiskohen 900 aksione, 45 përqind e kapitalit dhe 900.000 lekë. Personit të tretë Giuseppe Palmas i konfiskohen 100 aksione, 5 përqind e kapitalit dhe 100.000 lekë", citohet në vendimin e plotë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda në Tiranë.





