Policia ka konfiskuar 12 pasuri të paluajtshme dhe 5 shoqëri tregtare, në emër të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe të 4 personave të tjerë.

Sektori për Hetimin e Korrupsionit ka zbatuar vendimin e gjykatës duke i kaluar në favor të shtetit këto pasuri, pas të cilave qëndronte Lefter Koka. Disa nga pasuritë ishin gjithashtu në emër të Miklovan Xhafës, Agim Seferit, Arbër Denizit dhe Mateo Rustanit.

Pasuritë e konfiskuara vijnë si rezultat i dënimit të këtyre personave për përdorimin korruptiv të inceneratorit të Elbasanit.

Sipas dosjes së SPAK, Lefter Koka kishte krijuar në vitin 2016 disa kompani të ndryshme të lidhura me njëra-tjetrën, por që i kishte vendosur në emër të personave të tij të besuar. Sipas organit të hetimit, këto kompani kanë marrë shuma të mëdha parash nga inceneratorët përmes faturave fiktive për punime që nuk ekzistonin.

Hetimet kanë vërtetuar se në shtator të vitit 2016, Arbër Denizi hapi kompaninë ‘Pivot 04’ në Durrës. Kjo kompani ka marrë 1.75 milionë euro. Sipas SPAK, të gjitha faturat ishin për kryerje punimesh që në fakt nuk janë realizuar.

Më pas, kjo kompani ka blerë një tjetër shoqëri, e cila kishte selinë tek ‘Kantina e Pijeve’, në pronësi të Lefter Kokës. Paratë dyshohet se i kanë kaluar familjes Koka.

Sipas dosjes, një tjetër kompani me emrin ‘Sili’, në emër të Silverstër Drizesit, ka shitur aksionet Agim Seferit. Kjo kompani ka marrë nga inceneratori 112 milionë lekë gjithashtu për kryerje punimesh, me fatura fiktive. Më pas, firma ‘Sili’ ka blerë produkte ushqimore nga kompania e Lefter Kokës.

Në lojën e shoqërive tregtare futet edhe ‘Bellar Inert’, e krijuar në mars të vitit 2016, aksionet e së cilës u blenë nga Miklovan Xhafa. E njëjta skemë është realizuar edhe në këtë rast.

Më tej shfaqet kompania ‘J.P.Y.’ me pronar Mateo Rustanin, e cila mori mbi 11.000.000 lekë. Një pjesë e parave i kaluan sërish kompanisë së Lefter Kokës, ‘Kantina e Pijeve’.

Njoftimi i plotë

Sektori për Hetimin e Korrupsionit, në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në Ministrinë e Brendshme, në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procedimit penal të vitit 2020, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për konfiskimin e 12 pasurive të paluajtshme dhe të 5 shoqërive tregtare, në pronësi të shtetasve L. K., M. Xh., A. S., A. D. dhe M. R., konkretisht:

-88.19% e aksioneve në pronësi të shtetasit L. K., në një shoqëri tregtare në Rashbull, Durrës, me vlerë korensponduese 244 442 972 lekë;

-1 njësi me sipërfaqe 206 m2, në një subjekt tregtar, me vlerë rreth 20 857 500 lekë;

-1 njësi me sipërfaqe 22.8 m2, në një subjekt tregtar, me vlerë rreth 2 308 500 lekë;

-1 njësi me sipërfaqe 68 m2, në një subjekt tregtar, me vlerë rreth 6 885 000 lekë;

-1 apartament me sipërfaqe 82 m2, me vlerë rreth 5 535 000 lekë;

-1 apartament me sipërfaqe 110 m2, me vlerë rreth 7 425 000 lekë;

-1 apartament me sipërfaqe 87 m2, me vlerë rreth 5 872 500 lekë;

-1 apartament me sipërfaqe 84 m2, me vlerë rreth 5 670 000 lekë;

-1 apartament me sipërfaqe 81 m2, me vlerë rreth 5 467 500 lekë;

-1 apartament me sipërfaqe 116 m2, me vlerë rreth 7 830 000 lekë;

-1 apartament me sipërfaqe 94 m2, me vlerë rreth 6 345 000 lekë;

-1 apartament me sipërfaqe 135 m2, me vlerë rreth 9 112 500 lekë;

-pasuri e paluajtshme truall me sipërfaqe 147 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 126 m2, me vlerë rreth 12 757 500 lekë.

Pasuritë e konfiskuara do të administrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në Ministrinë e Brendshme.