Me fuqizimin dhe mbështetjen e Inspektoratit Komunal me vendim të Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, ky mekanizëm institucional po shënon suksese në garantimin e shëndetit publik për qytetarët ferizajas përmes kontrollit të vazhdueshëm të cilësisë së produkteve që ofrohen në treg në territorin e Ferizajt.
Paraditen e së shtunës, Inspektorati Komunal ka marrë njoftimin nga Policia e Kosovës, gjegjësisht Njësia e Trafikut Rrugor në Ferizaj për ndalimin e një mjeti transportues që po bartte ngarkesa të mëdha të qumështit dhe nënprodukteve të tij, me dyshimin se po bartnin këtë ngarkesë pa plotësuar kushtet e transportit.
Inspektorati Komunal ka dalë menjëherë në inspektim të ngarkesës në këtë mjet transportues nga ku u konstatua se afro 1 ton qumësht dhe nënprodukte të tij janë të prishura, prishje që është shkaktuar për shkak mosplotësimit të kushteve të transportit. Për këtë rast, Inspektorati Komunal ka bërë konfiskimin dhe asgjësimin e kësaj sasie dhe ka nisur procedurat e nevojshme pranë organeve të drejtësisë.
Sasia e konfiskuar dhe asgjësuar ishte e destinuar për shpërndarje në pika të ndryshme shitëse në Ferizaj. Inspektorati Komunal falënderon Policinë e Kosovës, gjegjësisht Njësinë e Trafikut Rrugor për bashkëpunimin dhe vigjilencën ndaj këtyre rasteve, njëherazi inkurajon qytetarët ferizajas të denoncojnë rastet ku hasin në produkte të dyshimta në pikëpamje të cilësisë dhe kushteve të ruajtjes. /Klan Kosova