Një konflikt familjar në Majtarë të Dibrës ka rrezikuar të përshkallëzohet, pasi një 34-vjeçar ka dhunuar kunatën e tij, ndërsa djali i saj ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Policia bën me dije përmes një njoftimi zyrtar se 34-vjeçari D. E. dyshohet se ka dhunuar kunatën e tij, 40-vjeçaren F. E. Pas konfliktit, djali i 40-vjeçares, 19-vjeçari F. E., dyshohet se ka marrë armën dhe ka qëlluar në ajër, me qëllim kanosjen e xhaxhait të tij.
Policia ndërhyri në kohë, duke arrestuar 34-vjeçarin, ndërsa 19-vjeçari është shpallur në kërkim.
Për ngjarjen janë proceduar në gjendje të lirë edhe tre persona. Dy gra, 40 dhe 25 vjeçe, dyshohet se kanë dhunuar njëra-tjetrën, ndërsa një 38-vjeçar po procedohet pasi dyshohet se ka tentuar të fshehë prova në vendngjarje.
Njoftimi i Policise:
Dibër/ Parandalohet përshkallëzimi i një konflikti në familje.
Dhunoi kunatën e tij dhe, gjatë konfliktit, djali i saj qëlloi në ajër me armë zjarri, me qëllim kanosjen e xhaxhait të tij, falë ndërhyrjes në kohë të Policisë, parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit.
Ndalohet 34-vjeçari që dhunoi kunatën, shpallet në kërkim 19-vjeçari që qëlloi me armë zjarri në ajër, si dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë.
Menjëherë pas njoftimit për një konflikt në një familje në fshatin Majtarë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat dhe përfshirjen në konflikt.
Si rezultat i ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve policore, u parandalua përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit dhe u vu në pranga shtetasi D. E., 34 vjeç, pasi dyshohet se ka dhunuar kunatën e tij, shtetasen F. E., 40 vjeçe.
Ndërkohë, u shpall në kërkim djali i 40-vjeçares, shtetasi F. E., 19 vjeç, i cili dyshohet se ka qëlluar në ajër me armë zjarri, me qëllim kanosjen e shtetasit D. E., xhaxhait të tij. Vijon puna për kapjen e tij dhe kontrollet për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur gjatë konfliktit.
Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetaset F. E., 40 vjeçe, dhe A. E., 25 vjeçe, pasi kanë dhunuar njëra-tjetrën, si dhe për shtetasin E. E., 38 vjeç, pasi dyshohet se ka tentuar të fshehë provat në vendngjarje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.





