Në Njësinë 6 në Kombinat, 90-vjeçari Nuro Kulluri denoncon në emisionin “Stop” ngushtimin e shkallëve të pallatit dhe zënien e hapësirës publike nga fqinji i tij, Përparim Fejzo.

Sipas denoncimit, hapësira poshtë shkallëve, ishte shfrytëzuar si dyqan ushqimor, i dhënë me qira. Verifikimi në terren tregoi se shkallët ishin ngushtuar nga 105 cm në 85–95 cm, duke krijuar pengesë për banorët dhe veçanërisht për të moshuarin.

“Kam ngushtimin e shkallës nga komshiu Përparim Fejziu. Ngushtimi i shkallës, nuk është më 1 metër, por është 12 centimetra. Kalojmë me vështirësi, duke u mbajtur për muresh. Këtu poshtë e ka dyqan, ka bërë edhe sheshpushim nga jashtë. Jam ankuar në njësinë këtu, në polici, në bashki, te IMT. Janë të gjitha me shkresa. E hoqa shpresën, sepse asnjë institucion nuk zgjidhte asgjë, as për pjesën e shkallës dhe as për hapësirën publike. I jam drejtuar emisionit ‘Stop’ për të marrë një zgjidhje, sepse unë sot jam gjallë, marr frymë, por nesër mund të dal i vdekur që këtej, por nuk dal dot siç dalin të gjithë me arkivol”, denoncon 90-vjeçari.

Bashkëshortja e Përparim Fejzos pranoi ndërtimin e shkallëve me një inxhinier privat dhe deklaroi se hapësira do të lirohej vetëm pas ndërhyrjes së bashkisë edhe në raste të tjera.

Gjatë ballafaqimit mes palëve pati tensione dhe debate të forta, që për pak kaluan në përplasje fizike. /Emisioni STOP