TIRANE, 17 shkurt 2013 – Rikthimi i papritur i Eduart Selamit në Partinë Demokratike, ka zënë në befasi kryeparlamentaren Jozefina Topallin dhe grupin e saj në selinë blu. Habia e numrit dy të Partisë Demokratike dhe e pretendentes për pasardhëse të Berishës, është kthyer menjëherë në shqetësim, kur Selami ka zhvilluar një takim kokë më kokë me kryebashkiakun Basha, rivalin e përbetuar të Topallit. Edhe pse Selami u rikthye pas 18 vitesh me vullnetin e plotë të Berishës, ardhja e tij nuk është pritur mirë nga grupi i Topallit, nga Bode, Patozi, Rusmali etj. Ardhja e Selamit ka shqetësuar gjithashtu edhe ministrin e Transporteve, Sokol Olldashin, tashmë një figurë e konsoliduar në Partinë Demokratike. Asnjë figurë e lartë e Partisë Demokratike nuk e ka mirëpritur Selamin, përveç Bashës dhe Berishës. Madje, sipas burimeve, grupi i Topallit, Olldashit, Bodes etj, kanë nisur të turfullojë kundër Selamit, duke deklaruar se Berisha po rikthen tradhtarët. Fakti që Selami nuk ka takuar qoftë edhe një eksponent të grupit të Topallit, duket qartë se ardhja e tij ka turbulluar ujërat në PD, ndërsa po thellon luftën brenda klaneve. Ndërkaq, takimi me kryebashkiakun Basha, e klasifikon Selamin si një kundërshtar më shumë i Topallit, që do të bëhet pengesë për projektin e kësaj të fundit për të marrë në dorë frenat e partisë. Nxitimi i tij për të takuar fillimisht Bashën, konfirmon faktin se Selami do të jetë një mbështetës i Bashës në rrugën drejt kreut të PD. Nuk duhet të anashkalohet edhe fakti se Basha dhe Selami kanë një pikë të përbashkët; amerikanët. Selami njihet si njeriu i amerikanëve, ndërsa Basha është konsideruar nga SHBA si yll në ngjitje i së djathtës shqiptare. Nga ana tjetër, ambasada amerikane u shpreh kundër kandidaturës së Topallit për presidente.
Selami trazon PD
Mundësia që Selami të katapultohet nga Berisha dhe Basha në postet më të larta të PD, është një tjetër shqetësim për grupin anti-Basha në Partinë Demokratike. Selami, i cili njihet si një politikan modern, properëndimor, i drejtpërdrejtë, konsensual dhe përfaqësues i lëvizjes së studentëve për një Shqipëri si gjithë Europa, mund të eklipsojë figurat e tjera në PD. Nga ana tjetër, Selami e ka shpjeguar takimin me Bashën si një takim mes miqsh të vjetër, por në fakt Basha ka ardhur në PD në 2005, shumë më vonë se sa figura të tjera të PD. “Gjithçka ishte në mirëkuptim. Ishte një takim mes miqsh të vjetër, siç kanë qenë gjithmonë takimet tona. Më është shprehur vullneti se jam i mirëpritur në Partinë Demokratike si gjithmonë. Por nuk u fol asgjë nëse mund të jem kandidat për deputet, sepse kjo nuk është serioze. Ky është një diskutim dhe vendimmarrje e strukturave, dhe unë i respektoj procedurat. As që e mendoja ndryshe dhe jam shumë mirënjohës për kohën që Doktor Berisha gjeti për të më takuar”, ka deklaruar Selami.
Basha forcon pozitat
Lulzim Basha, i cili ka marrë vulën e familjes kryeministrore si pasardhës i Berishës, ka raporte shumë të mira edhe me Bamir Topin. Madje, mes Bashës dhe Topit pëshpëritet se ka një marrëveshje, e cila ndërthur në vetvete interesave politiko-ekonomike, për në radhë të parë është kundër Jozefina Topallit, armikes së përbashkët në PD. Si pikë lidhje e kësaj miqësie të fshehtë kanë shërbyer disa biznesmenë pranë kryebashkiakut Basha, më konkretisht krushku i Bamir Topit dhe disa pronarë mediesh pranë kryebashkiakut.
Basha dhe Topi
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, nuk është përfshirë asnjë herë në konfliktin që mazhoranca qeverisëse ka me kreun e shtetit, Bamir Topi. Ndryshe nga Berisha, Olldashi, Topalli apo ushtria e deputetëve dhe nëpunësve të partisë-shtet, Luzim Basha, trashëgimtari politik i Berishës, nuk e ka atakuar asnjëherë Bamir Topin. Edhe pse ky i fundit u akuzuar se votoi për Ramën më 8 Maji, Basha ka shmangur çdo koment për kreun e shtetit. Luzim Basha dhe Bamir Topi, dy figurat me profil më të lartë politik pas Berishës, kanë një raport të hershëm miqësor, madje herë-herë edhe klientelist. Nga ana tjetër, pas konfirmimit në krye të Bashkisë së Tiranës, miqësia apo aleanca Basha-Topi është forcuar edhe më tej falë ndërhyrjeve të klaneve dhe miqve të përbashkët, përkatësisht biznesmenë.
Rivaliteti Basha-Topalli
Pas sherrit të paprecedentë në ceremoninë mortore të Leka Zogut, dy pretendentët për fronin e pasardhësit të Berishës, kanë zgjedhur të sfidojnë njëri-tjetrin në distancë. Gjatë një interviste televizive, Lulzim Basha injoroi Jozefina Topallin, teksa tha se nuk dëshironte të humbiste kohë me të, por do t’u përkushtohej qytetarëve të Tiranës. Me një qëndrim shpërfillës dhe arrogant për figurën e Topallit, Basha tha përkushtimi i tij për qytetarët qëndronte mbi rivalitetin që ka me kryeparlamentaren. Duke i konsideruar përplasjet me Topallin si sensacione mediatike dhe politike, Basha shtoi se nuk kishte kohë të merrej me Topallin, pasi kishte një axhendë më fisnike dhe madhore. Në vend që të sqaronte se pse i rrëmbeu Topallit fjalimin e lamtumirës për Leka Zogun, Basha ka tërbuar më tej kryeparlamentaren me qëndrimet e tij sfiduese dhe injoruese.
Adriatik Doçi/ Gazeta "Sot"