TIRANE, 25 shkurt 2013 – Transferimin e efektivit Dritan Lamaj në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë e kryem për mirëfunksionim të punës, duke qenë se si shef komisariati kishte disa ankesa në drejtim të tij”. Kështu u shpreh drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, për “Gazeta Shqiptare”. I pyetur nëse oficeri i vrarë dje në mbrëmje kishte kërkuar mbrojtje nga ndonjë kërcënim i mundshëm, Burgaj u shpreh se Lamaj nuk ka kërkuar kurrë mbrojtje në polici. 

Dritan Lamaj, efektiv i rëndësishëm në Policinë e Shtetit, mbeti i vrarë të dielën mbrëma ndërsa është qëlluar me breshëri plumbash në kurriz. Lamaj ishte 41 vjeç dhe kishte bërë karrierë në Policinë e Shtetit. Emri i tij u përmend më shumë gjatë vitit 2012, kur ai ka qenë në krye të komisariatit nr.6 apo ndryshe i zonës së “Kombinatit”.

Pikërisht gjatë kësaj periudhe ai ka pasur disa konflikte me banorë të ndryshëm, madje në 2012 është organizuar edhe një protestë për largimin e tij nga puna. Më 30 gusht 2012 Evelina Shabani, një 38-vjeçare e divorcuar, nënë e një fëmije u ankua se pasi kishte shkuar në komisariatin e policisë nr.6 për të denoncuar dhunën nga ish-bashkëshorti i saj, ka hasur të njëjtën dhunë në polici. Sipas deponimit të saj dhënë për mediat, gruaja është pështyrë, sharë dhe qëlluar nga shefi i policisë Dritan Lamaj. Rreth një muaj më vonë më 25 shtator 2012, Arben Frroku, biznesmeni i kompanive private “Xhoi Loto”, “Inkas Kafe” si dhe aksioneri i klubit sportiv “Tërbuni”, denoncoi në “Qendrën për Drejtësi dhe Solidaritet”, pretendimet në lidhje me shantazhin që i ka bërë në datën 14.03.2012 shefi i komisariatit nr.6, Dritan Lamaj. Sipas këtij të fundit, ai kishte bërë kallëzim në prokurori ndaj shefit të komisariatit, sepse i kishin mbajtur çiften që e kishte me leje pa të drejtë si dhe e kishin ndaluar padrejtësisht. Më 28 shtator 2012 u zhvillua protesta e Lëvizjes “Shqipëria e Re” me moton: “Ndal korrupsionit në Drejtësi! Të shkarkohet shefi i komisariatit nr.6 Dritan Lamaj!”. Protesta nisi nga sheshi “Nënë Tereza” dhe u zhvillua si marshim deri në sheshin “Skënderbej”. Kjo lëvizje erdhi pas denoncimit publik dhe kallëzimit penal që disa sipërmarrës dhe qytetarë të thjeshtë bënë ndaj këtij shefi komisariati për dhunën dhe shantazhin e ushtruar ndaj tyre. 

Më 2 tetor 2012 Lëvizja “Mjaft” i bëri një letër të hapur kryeministrit, presidentit e strukturave të tjera shtetërore po për këtë subjekt, dhunën e ushtruar nga policët e komisariatit 6, duke përmendur disa nga qytetarët që sipas tyre ishin dhunuar e kishin denoncuar ligjërisht e mediatikisht si Martin Kozhuta, Evelina Shabani, Vlash Gjoni, Kledian Deda, Arben Frroku, Edmond Vlashaj, Ilir Lasku, Aleksa Lala… Ish-shefi i komisariatit nr.6, Dritan Lamaj është pezulluar tre muaj nga detyra e tij në 2008 pas një denoncimi të bërë nga Sefer Pasmaçiu, nga Varoshi i Komunës Pezë. Këtë fakt e ka pohuar për mediat Xhelal Merepeza, kryetar i PD-së në Pezë, i cili gjithashtu pohoi se Dritan Lamaj kishte terrorizuar familjen e së motrës së tij, martuar me Sefer Pasmaçiun. Ky i fundit në maj të vitit 2008 denoncoi rastin tek Avokati i Popullit. Ditën që u emërua komisari i ri i Shijakut, pas vrasjes së Adem Tahiraj, pra më 2 nëntor 2012 ndodhën dhe shumë transferime në Policinë e Shtetit, ku mes të tjerëve Dritan Lamaj u transferua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe në vend të tij, shef i komisariatit nr.6 u emërua Sejfulla Metko.