Nëntë ushtarë izraelitë janë vrarë të mërkurën pasi ranë në një pritë të pjesëtarëve të Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – njoftoi ushtria izraelite.

Izraeli është duke u përballur me një rezistencë të fortë në zonat të cilat i ka rrethuar dhe bombarduar gjatë dy muajve të fundit.

Lufta ajrore dhe tokësore e Izraelit i ka lënë mijëra civilë palestinezë të vrarë dhe i ka detyruar 85 për qind të popullsisë së Gazës të largohen nga shtëpitë e tyre, duke nxitur zemërim në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje vazhdimisht Izraelit të marrë masa më të mëdha për t’i kursyer civilët, pavarësisht se e bllokuan një thirrje ndërkombëtare për armëpushim dhe i dërguan urgjentisht municion aleatit të tyre të ngushtë.

Në mesin e nëntë të vdekurve ishin edhe koloneli Itzhak Ben Basat, 44 vjeç – i cili është oficeri më i lartë që vritet në pushtimin tokësor – dhe koloneli Tomer Grinberg, komandant batalioni./REL