Policia ka dhënë detaje rreth konfliktit me armë ku për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë një 23-vjeçar. Sipas policisë së Dibrës është arrestuar autori i dyshuar si dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë.
"Më datë 06.04.2018, rreth orës 20.00, është marrë njoftim se në fshatin Nezhaj, njësia Administrative Zall-Dardhë, Dibër, se në oborrin e banesës së tij është qëlluar me armë zjarri shtetasi E.Ç, rreth 23 vjeç, banues në fshatin Nezhaj," thuhet në njoftimin e policisë.
Mësohet se i dëmtuari po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës, Tiranë, në gjendje të rëndë. Blutë e Dibrës kanë arritur të identifikojnë dhe kapin në kohë rekord autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin Rr.K, 25 vjeç.
Në këtë ngjarje dyshohet se janë përfshirë dhe vëllezërit e 25-vjeçarit të arrestuar, shtetasit K.K. 35 vjeç, dhe A.K, 27 vjeç, për kapjen e të cilëve po krihet zona.
Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 4 gëzhoja dhe 1 plumb i pa plasur.
Disa metra larg vendit të ngjarjes është gjetur arma e zjarrit tip automatik, që dyshohet se është përdorur nga autorët. Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.





