Policia e Tiranës ka arrestuar katër persona që një mbrëmje më parë u përfshinë në një sherr ku nuk mungoi as përdorimi i armëve. Ndaj tyre rëndon akuza e vrasjes me dashje ndërsa për tre prej tyre edhe akuza e armëmbajtjes pa leje. 

“Në vijim të dy informacioneve paraprake të dhëna mbi ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, arrestuan shtetasit: S. A., 55 vjeç, banues në Fushë-Krujë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 76/22/25 i Kodit Penal; A. A., 45 vjeç, F. S., 33 vjeç, Y. S., 40 vjeç, të tre banues në Mamurras, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 76/22/ 25 dhe 278 të Kodit Penal”, njoftoi policia. 

Si ndodhi përplasja 

Mbrëmjen e së enjtes rreth orës 21:30 në vendin e quajtur Shperdhet të Mamurrasit S. A. me detyrë punonjës policie dhe disa kushërinj të tjerë kanë debatuar dhe janë konfliktuar fizikisht me vëllezërit F. Sela dhe Y. S. Shkak është bërë një mosmarrëveshje lidhur me pronësinë e një sipërfaqe toke. 

Më pas konflikti ka agravuar në përdorimin e armëve të zjarrit. Për pasojë kanë mbetur të plagosur nga njëra palë punonjësi i policisë me 45-vjeçarin A.A dhe nga pala tjetër 33-vjeçari F.S. Ata janë transportuar më pas në spital për ndihmë mjekësore. 

Ndërkohë policia ka sekuestruar pistoletën e punonjësit të policisë municion luftarak dhe gëzhoja, të gjetura në vendin e ngjarjes.