Shtetet e Bashkuara dhe forcat aleate rrëzuan sot 15 dronë të rebelëve Houthi, në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit, njoftoi ushtria amerikane.
Pak pas njoftimit, rebelët morën përsipër sulmin duke thënë se lëshuan raketa ndaj një anije tregtare “amerikane”, siç thanë rebelët, si dhe lëshuan dronë ndaj anijeve luftarake të Shteteve të Bashkuara në “Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit”.
Ky ishte një prej sulmeve më të mëdha të rebelëve Houthi, që mbështeten nga Irani, qëkurse ata nisën sulmet me dronë dhe raketa ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, një pike kyçe për tregtinë botërore. Ata thonë se sulmet po i kryejnë në shenjë solidariteti me palestinezët, ndërsa Izraeli vazhdon sulmin ndaj militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës.
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara tha se sulmi “në shkallë të gjerë” i rebelëve Houthi ndodhi para se të zbardhte dita në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.
Komanda amerikane dhe forcat e koalicionit përcaktuan se dronët paraqesnin kërcënim urgjent për anijet tregtare, marinën amerikane dhe anijet e koalicionit në rajon.
Përmes një postimi në platformën X, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara tha se “anijet dhe avionët e marinës amerikane së bashku me anije dhe avionë të shumtë të marinës së koalicionit rrëzuan 15″ prej dronëve.
“Këto veprime ndërmerren për të mbrojtur lirinë e lundrimit dhe për të forcuar sigurinë në ujrat ndërkombëtare”, njoftoi Komanda.
Që prej muajit janar, Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë kryer sulme të vazhdueshme ajrore që kanë patur si objektiv rebelët Houthi në Jemen, në përgjigje të sulmeve të rebelëve ndaj anijeve, por grupi Houthi ka vazhduar sulmet ndaj anijeve tregtare dhe është përpjekur të godasë anijet luftarake amerikane dhe britanike./ VOA