Gjermania ka vendosur të ulë përkohësisht taksat për karburantet, çmimet e të cilave u rritën si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme. Kjo paketë emergjente ndërhyrjesh synojnë të frenojnë presionin mbi familjet dhe bizneset. Kancelari Friedrich Merz pranoi se kostoja e këtij konflikti nuk do të jetë e përkohshme.
“Ne do t’i ndjejmë pasojat e kësaj lufte për një kohë të gjatë, edhe kur ajo të përfundojë”. Qeveria dëshiron të bëjë gjithçka që është në fuqinë tonë dhe ndërsa burimet tona janë të kufizuara, ato ekzistojnë për të ruajtur dhe përmirësuar konkurrencën e ekonomisë gjermane dhe për të lehtësuar situatën për familjet private”, tha ai.
Ndërhyrja e parë dhe më e menjëhershme është ulja e përkohshme e taksës së karburantit me 17 cent për litër për benzinë dhe naftë, me kohëzgjatje dy mujore. Në të njëjtën kohë, qeveria u mundëson bizneseve t’u paguajnë punonjësve një bonus lehtësimi pa taksa deri në 1,000 euro në vitin 2026, pa u ngarkuar nga taksat apo kontributet e sigurimit.
Mediat shkruajnë se vendimi nuk është vetëm ekonomik, por edhe thellësisht politik, pasi në Berlin tashmë kishte presion për një përgjigje të menjëhershme ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
Paketa vjen në një kohë kur ekonomia gjermane mbetet e brishtë. Pas trazirave të mëdha të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës, Gjermania regjistroi një tkurrje si në 2023 ashtu edhe në 2024, ndërsa vitin e kaluar rritja u kufizua në vetëm 0.2%. Presioni i ri energjetik nga lufta me Iranin kërcënon të prishë përsëri pritshmëritë e rimëkëmbjes së qeverisë Merz, e cila kishte investuar politikisht në rinisjen e industrisë dhe rivendosjen e konkurrencës.





