Konflikti mes Palestinës e Izraelit për shkak të sulmeve të Hamasit ka shtyrë Italinë të nisë zbatimin e një plani të veçantë sigurie në territor kombëtar.
Siguri maksimale ndaj objekteve sensistive për pakicat, por edhe ato strategjike, si dhe ndjekja e një strategjie diplomatike me synimin për të parandaluar përhapjen e konfliktit Izrael – Palestinë edhe në Evropë.
Është kjo linja që Italia po mban gjatë këtyre orëve pas përshkallëzimit të konfliktit në Rripin e Gazës.
Në Itali jetojnë mbi 30 mijë izraelitë e shumica e tyre në kryeqytetin italian Romë, në të cilën gjenden edhe selitë diplomatike, objekte historike e fetare, si dhe Kryeqendra e Kishës Katolike, Vatikani.
Po ashtu në Itali jetojnë rreth 1300 palestinezë të organizuar në shoqata studentësh, lëvizje feminsite e me selitë e përfaqësive diplomatike në territor.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Vittorio Pisani ka udhëruar zbatimin e një plani konkret që është shpërndarë në të gjitha rajonet e provincat italiane, ku kërkohet shtimi i masave të kontrollit e forcimin e shërbimit të mbikëqyrjes pranë selive diplomatike konsullore, fetare, kulturale, ekonomike, tregtare izraelite, palestineze, e të çdo vendodhje që mund të lidhet me këto dy popuj e që mund të jetë objektiv sulmi nga njëra apo tjetra palë.
Në dokumentin e Policisë Italiane rekomandohet të shtohet në maksimum aktiviteti informativ për të parandaluar ilegalitetin e garantuar rendin e sigurinë publike.
Kryeqyteti italian Romë, është nën vëmendjen e veçantë të këtij plani të lartë sigurie. Në këtë territor janë të pozicionuara Gheto hebraike, Sinagoga, Ambasada Izraeliane Përfaqësi Diplomatike Palestineze, si dhe Selia e Shenjtë, Vatikan.
Prefekti i Romës Lamberto Gianini ka mbledhur në mënyrë të jashtëzakonshme të gjitha institucionet e autoritetet përgjegjëse përkatëse për të bërë analizën mbi situatën dhe nivelin e sigurisë në kryeqytet.
Ndërkohë Zëvendëskryeministri Italian, njëherësh ministër i Jashtëm Antonio Tajani ka informuar se ka zhvilluar biseda telefonike me homologët e tij në Izrael, Egjipt e Jordani duke i kërkuar: “Ndalni përhapjen e luftës”.
Tajani ka deklaruar se ka komunikuar me Sekretarin Amerikan Blinken dhe anëtarët e Kuintetit Angli, Gjermani, Francë e Bashkim Europian ku ka kërkuar nevojën e një koordinimi mes tyre, për të inkurajuar depërshkallëzimin e konfliktit e përhapjen e tij në rajon.
Numri 2 i qeverisë italiane është shprehur gjithashtu se sidoqoftë në çdo rast “Izraeli ka të drejtën të mbrohet”, gjë që e ka deklaruar dhe gjatë bisedës telefonike me ministrin e jashtëm izraelit Eli Cohen, ku ka rikonfirmuar linjën e qeverisë italiane në solidaritet të plotë ndaj Izraelit e dënimin e ashpër të këtij sulmi.
Italia përmes kreut të Diplomacisë, duke njohur rolin e vecantë e të rëndësishëm të Kajros në Rajon, i ka kërkuar ministrit të jashtëm të Egjiptit, Samen Shoukry të jenë ndërmjetës në kanalet diplomatike për krijimin e korridoreve të mundshme humanitare në lirimin e të burgosurve të mbajtur në Gaza, e vecanërisht të fëmijëve, grave e të moshuarve.
Për të mbështetur këtë aksion diplomatik, ministri i Jashtëm Italian Tajani, do të udhëtojë këtë javë në Egjipt për të mbështetur ndërmjetësinë e tyre në dialogun me të gjithë partnerët e rajonit të Mesdheut e Lindjes së Mesme.
Gjithashtu Tajani në bisedën me homologun e tij në Jordani Ayman Safadi, ka nënvizuar rolin themelor që ky vend mund të luajë në frenimin e këtij konflikti.