Presidenti Ilir Meta e ndezi më shumë konfliktin e nisur pak ditë më parë me mazhorancën për Gjykatën Kushtetuese. Ai dekretoi Marsida Xhaferllarin, anëtare të kësaj gjykate, si emërimin e dytë që i takon Presidentit, nga lista me katër propozime që i bëri Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Por në të njëjtin post, të hënën parlamenti quajti të emëruar Arta Vorpsin. Vorpsi u rendit e para në listën që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgoi presidentit dhe parlamentit.

Presidenti nuk zgjodhi, pasi argumentoi se kishte zgjedhur më parë Besnik Muçin si anëtar dhe për këtë arsye radha i takonte parlamentit të vendoste për anëtarin që i takon legjislativit.

Afati kushtetues 30 ditor nga dërgimi i listës nga KED i skadoi kreut të shtetit më 8 Nëntor dhe Arta Vorpsi u quajt e emëruar automatikisht. Emri i saj u publikua e para në Fletoren Zyrtare.

Presidenti nuk e njeh këtë procedure për shkak se thotë se zgjedhjet bëhen me radhë mes Presidencës, Parlamentit dhe Gjykatës së Lartë. Por në dekretimin e Xhaferllarit, ai e pranon zgjedhjen e dy kandidatëve njëherazi nga parlamenti.

“Duhet të kemi të qartë ju dhe çdo qytetar se nuk ka një afat të caktuar në Kushtetutë për Presidentin, ka afat për parlamentin, për arsye se është një institucion kolegjial që përbëhet edhe  nga forca të ndryshme politike, por jo për Presidentin. E dyta, që duhet të jetë e qartë për çdo shqiptar, Kushtetuta është mbi çdo gjë, aq më tepër kur bëhet fjalë për krijimin e gjykatës Kushtetuese. Kushtetuta është zero, letër pa Gjykatën Kushtetuese. Momenti i krijimit të Gjykatës është historik sepse për herë të parë krijohet gjykata sipas reformës që u bë në kushtetutë për reformën në drejtësi dhe është e rëndësishme që të respektohet kushtetuta aq më tepër për gjykatën, pasi është garancia për mbrojtjen e popullit shqiptar. Çdo akt në këtë proces është historik sepse do të mbetet si një referencë në të ardhmen, çdo veprim i presidentit aktual është një veprim që mbetet si precedent, apo cdo veprim i kuvendi është precedent. KED është një institucion që merret vetëm me menaxhimin administrativ dhe asgjë tjetër. Pra Kushtetuta tregon si krijohet gjykata, Presidenti ka të drejtën për vakancën e parë, pastaj është parlamenti dhe në këtë mënyrë përsëritet e njëjta renditje dhe në këtë plan është detyra e KED-së që të rregullojë listat e vakancave dhe të afateve, që të respektohet Kushtetuta  për mënyrën e ndërtimit të gjykatës dhe të mos kemi përplasje. Kryetari i KED të bëjë lojëra me karakter administrativ në mënyrë mafioze, që të vendosë presidentin në këtë pozitë, kreun e shtetit, që ose të shkelë Kushtetutën” tha  Presidenti në një konferencë për mediat.

Kreu i shtetit hodhi akuza të forta ndaj kreut të KED-së, Ardian Dvorani.

“Kryetari i KED bën lojëra me karakter administrativ në mënyrë mafioze, që të vendosë presidentin në këtë pozitë, kreun e shtetit, që të shkelë Kushtetutën. Kjo është e turpshme, është mafioze. Gjatë gjithë këtij procesi me KED-në kemi qenë në një marrëdhënie institucionale. Këto lojëra dhe filma nuk ka mbetur njeri dhe budalla pa i kuptuar përveç të korruptuarve shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Një pjesë e mbledhjeve të KED-së nuk janë zbardhur dhe kjo është e rëndë. Për çdo vakancë duhet të kishim tre kandidatë, jo që të gjithë kandidatët janë të paracaktuar dhe mundësia e zgjedhjes është pranë zeros. Nëse Presidenti do të vepronte me zgjedhjen e dy anëtarëve njëherë do të shkelte Kushtetutën, por mund të akuzohej nga parlamenti, që me mënyrën si veproi e la parlamentin jashtë mundësive, pasi nuk kishte mundësi të kishte tre kandidatë për cdo vakancë”, tha Meta.