Policia e Dibrës ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti për motive pronësie midis vëllezërve, që mund të degjeneronte në përdorimin e armëve të zjarrit.

Sipas burimeve zyrtare, një ditë më parë, tre vëllezër në bashkëpunim me njëri- tjetrin në orët e mbrëmjes janë konfliktuar fizikisht për motive pronësie në fshatin Hotesh me shtetasin S. Xh. 74 vjeç, lindur e banues në fshatin Hotesh, Njësia Administrative Luzni,  ku si pasojë e konfliktit fizik, shtetasi  S.Xh, ka pësuar dëmtime të lehta.

Pas konfliktit shtetasi i dëmtuar ka shkuar në banesë dhe ka marrë armën e gjahut të cilën e kishte me leje.

Ndërhyrja në kohë e Policisë  ka bërë të  mundur që shtetasit të dëmtuar t'i merrej dhe t'i bllokohej arma e gjahut qe ai e kishte me leje si dhe të parandalohej përshkallëzimi i konfliktit.

Më pas shtetasi i dëmtuar si pasojë e plagëve të lehta fizike të shkaktuara nga tre vëllezërit është dërguar në Spitalin e Peshkopisë për mjekim.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë dy vëllezërit Baftjar Xhurxhi, 42 vjeç dhe Urim Xhurxhi, 38 vjeç, si dhe u shpall në kërkim vëllai tjetër, E. Xh, 35 vjeç dhe po vazhdojnë kërkimet për kapjen e tij.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme.