TIRANE– 12 familje rrezikojnë të mbeten në qiell të hapur për shkak të një urdhër ekzekutimi të firmosur nga Gjykata e Tiranës.
Familjet e pastreha të akomoduara në ish-çerdhen nr.36, tek ish-Fusha e Zezë paralajmërojnë se nuk dalin të gjallë nga godina , pasi nuk do të zbatojnë urdhërin e gjykatës për shkak se nuk kanë ku të strehohen.
Familjarët prej 20 vitesh banojnë në godinën 1 katëshe tek kryqëzimi i 21 Dhjetorit, teksa ligji kërkon tu kthejë banesën ish-pronarëve.
Në një prononcim per News24, protestuesit pretendojnë se kjo banesë ish-shtetërore i përket tyre dhe duhet që ta privatizojnë ato, ndërkohë që theksojnë se ndërtesa është ndërtuar në vitin 1995, dhe ish-pronarët e tokës janë dëmshpërblyer.
Vasilika Hysi: Banorët kanë të drejtë, mos i flakni në rrugë
Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi e cila mëngjesin e sotëm gjendej bashkë me kreun e njësisë numër 7 me banorët në një prononcim për mediat tha se qytetarët kanë të drejtë, teksa bëri apel që ata të mos flakën në rrugë.
“Ligji është ligj, akti normativ është akt normativ, por krahas saj është edhe aspekti human. Këta banorë nuk mund të flakën në rrugët. Ndaj në kushtet ku këta qytetarë nuk kanë të drejtë të përfitojnë shtëpi, kjo gjendje nuk duhet toleruar. Unë nuk vij për politikë. Këta banorë duhet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre”, theksoi Hysi.
Kryetari i njësisë 7: Askush nuk shqetësohet ku do shkojnë banorët
Erion Koka, kryetari i njësisë 7, theksoi se akti normativ i dalë prej në vitit është bërë për të përfituar vetëm një grup i caktuar personash, ndërkohë që ngriti problemin se asnjë nuk është shqetësuar për fatin e banorëve që rrezikojnë të mbesin jashtë këtë fillim viti. Sipas Kokës, banorët nuk përfitojnë dot nga kredia me interes 0.
“Cdo lloj akti normativ që ka dalë prej në viti është bërë për të përfituar njëë grup personash. Si njësi ne shohim anën sociale, këta persona ngelen jashtë dhe nëse thotë se duhet të merret një kredi e butë dhe me interes zero pse nuk kryhet kjo procedurë. Ato kanë shkuar në banka po në pamundësi për të marrë kredinë atëherë ku do shkojnë këta njerëz. Ne këtu po shohim gjera të cuditshme. Si merret parasysh vendimi i përmbarimit dhe nuk shihet ku do shkojnë këta njerëz. Këta njerëz mbeten në mes të katër rrugëve.
Këtë njerëz nuk kanë pse të dalin, do i mbështes, por nuk kemi mundësi ti ndihmojmë dot”, tha Koka.





