KRUJE – Konfliktet e pronësisë për pak sa nuk kanë shkaktuar viktimën e rradhës në qarkun e Durrësit. Dy vëllezër nga fshati Borizan i Krujës janë konfliktuar ashpër njëri me tjetrin për shkak të një sipërfaqe toke, pronësinë e së cilës e pretendonin të dyja palët. Policia ka vënë në pranga 49 vjeçarin Dylaver Vena, pasi rezulton se në datë 21 janar rreth orës 10.30 ka goditur me gurë në kokë vëllanë e tij.
Prej kohësh vëllezërit Vena kishin një konflikt të hapur njëri me tjetrin dhe duket se situata ka ardhur duke u tensionuar edhe më tepër.
Megjithëse vëllëzër, ata nuk kanë mundur të gjejnë gjuhën e përbashkët për të zgjidhur paqësisht pretendimin e secilit për pronën në fjalë. Pasi janë konfliktuar për një kohë të gjatë dhe kanë debatuar ashpër njeri me tjetrin Dylaver Vena ka goditur me gurë në kokë vëllanë e tij 63 vjeç.
Burime nga policia e Krujës bëjnë të ditur se fatmirësisht 63 vjeçari ka marrë një plagë të lehtë dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Mbrëmjen e djeshme policia e Krujës i ka vënë prangat Dylaver Venës, mbi të cilin rëndon akuza “Dhunë në familje me pasojë plagosje të lehtë”. Materialet ndaj këtij shtetasi iu kaluan për ndjekje te metejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë.





