Analisti dhe kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, thotë se konflikti midis Presidentit dhe Kryeministrit është një shfaqje e shëmtuar e klasës politike shqiptare, e cila sipas tij, riciklohet jo në emër të kauzave apo interesave institucionale, por në emër të politikave personale dhe shpesh konjektuarave dhe situatave impersonale.
I ftuar në intervistën e mbrëmjes në Ora News, Çipa u shpreh: "Polemika publike midis Presidentit dhe Kryeministrit dhe anasjelltas, shëmton sjelljen dhe atë që ne e konsiderojmë ruajtjen e kostumit institucional brenda shoqërisë sonë dhe në mënyrë të veçantë brenda shtetit shqiptar. Kjo është një pamje që flet për një kulturë përgjegjësie të cekët në përfaqësimin institucional dhe së dyti flet për "kulisat politikë" që më së shumti janë të lidhur me interesat e dominimit dhe imponimit".
Lidhur me propozimin e presidentit Meta për Ramën, që ky i fundit të mbajë edhe postin e ministrit të Punëve të Jashtme, si në rastin e Greqisë, Çipa e sheh ndërhyrje të padrejtë të Presidentit në të drejtën e Kryeministrit.
Çipa: Në planin logjik mund të jetë e drejtë, por në planin e së drejtës nuk i takon Presidentit të Republikës ti sugjerojë sesi do ta ndërtojë kabinetin një Kryeministër. Prandaj një pjesë e mirë e kritikëve mendje ftoftë e kanë cilësuar këtë si një ndërhyrje padrejtësisht në të drejtën e tjetrit. Është e drejtë ekskluzive e Kryeministrit.
Në situatën që jemi, Çipa thotë se Kryeministri i ka disa alternativa për ta përdorur kohën e vakumit kushtetues.
Çipa: Deri në momentin që zoti Cakaj nuk ka dhënë dorëheqjen si zëvendësministër për Europën dhe Punët e Jashtme do të thotë që mund të jetë zëvendësministri i parë dhe të ketë atributet e Ministrit. Mbetet për tu parë. Nga ana tjetër nuk është shkarkuar zoti Bushati.





