Dy persona janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta në rrugë, ku njëri prej tyre, një 45-vjeçar me iniciale E.K. nga Xhafzotaj ka nxjerrë armën dhe ka kanosur 38-vjeçarin.
Policia ka vënë në pranga 45-vjeçarin si dhe i ka sekuestruar automjetin dhe bërthamën e predhës së një fisheku luftarak, që u gjet në këtë automjet.
Policia njofton: “Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, si rezultat i hetimeve të kryera pas kallëzimit nga një 38-vjeçar, për një shtetas që e kishte kanosur me armë zjarri, arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 45 vjeç, banues në Xhafzotaj.
Ky shtetas dyshohet se më datë 16.02.2026, në vendin e quajtur “Kodra e Rrashbullit”, është konfliktuar në rrugë, për motive të dobëta, me shtetasin E. D., 38 vjeç, dhe e ka kanosur atë, me armë zjarri të dyshuar automatik.
Gjatë veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë kanë gjetur në automjetin e 45-vjeçarit, bërthamën e predhës së një fisheku luftarak.”
Ndërkohë vijojnë hetimet për gjetjen e armës së zjarrit, të cilën autori e ka fshehur pas ngjarjes, si dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.





