TIRANE, 13 shkurt 2013 – Konflikti për zhurmat e krijuara në konvikt është kthyer në një grindje masive që ka përfunduar me tre studentë të plagosur dhe dy të tjerë të ndaluar. Policia e Tiranës bën të ditur se mbrëmjen e djeshme ka marrë një sinjalizim se në konviktet e Inxhinierisë së Ndërtimit kishte plasur sherri mes studentëve.

Forcat e policisë të mbërritura në vendngjarje, pasi kanë shoqëruar në spital tre të plagosurit kanë ndaluar dy vëllezër binjakë nga Tropoja, Erdon dhe Ermal Murataj, 23 vjeç. Studentët e tjerë kanë rrëfyer për forcat e rendit se konflikti ka nisur në orët e vona të natës për shkak të zhurmave të shkaktuara nëpër dhoma dhe më pas grindja verbale ka degjeneruar në një konflikt fizik mes 5 studentëve nëpër korridoret e konviktit.

Për pasojë kanë mbetur të plagosur shtetasit Endrit Cuni 22 vjeç, Elidon Toska 21 vjeç dhe Enrik Neziri 21 vjeç, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.