Kongresi i IV Ndërkombëtar i Fizioterapisë, me pjesëmarrjen masive të mbi 1400 profesionistëve në sallën e Pallatit të Kongreseve, është një arritje domethënëse e Shoqatës Shqiptare të Fizioterapistëve.

Në këtë kongres ndërkombëtar u kërkua krijimi i Urdhrit të Fizioterapistëve si një domosdoshmëri e kohës dhe kongresi ngriti grupin e punës që do të merret me themelimin e tij dhe më pas me takime me komisionet parlamentare për ta bërë realitet këtë urdhër.

“Unë personalisht, si fizioterapist me shumë vite përvojë dhe si kryetar i Shoqatës Shqiptare të Fizioterapistëve në veçanti, jam thellësisht i nderuar nga mbështetja e kaq shumë profesionistëve dhe nga besimi i brezit të rinj të studentëve të fizioterapisë”,– thotë Faton Daci.

Gjatë fjalës së tij në kongres, fizioterapisti durrsak theksoi se:

“Nevoja e organizimit të profesionit të fizioterapisë në një urdhër të posaçëm vjen si pasojë e mungesave të shumta që kjo gjendje ka krijuar. Së pari, profesionistët e fizioterapisë janë ndjerë të papërfaqësuar dhe të lënë pas dore prej shumë vitesh nga instancat shetërore. Pas shumë përpjekjesh për t’u dëgjuar, dua të falenderojmë  deputetin dhe kolegun Florenc Spaho, i cili ka treguar gadishmëri për të na dëgjuar dhe për të na mbështetur pas kaq vitesh rrugëtim në kauzën tonë për organizimin e profesionit të fizioterapistit”.

Duke u ndalur problematikat e profesionit të fizioterapistit në Shqipëri, Daci u ndal tek konkurenca e pandershme, abuzimi me profesionin, hapja e pakontrolluar e klinikave etj.

“Organizimi profesional nën një urdhër shumë specialitetesh nuk adreson drejtpërsëdrejti nevojat dhe kërkesat e profesionit të fizioterapistit dhe si rrjedhojë ka krijuar situata të pazakonta në tregun e punës, në cilësinë e ofrimit të shërbimeve kundrejt pacientëve, në mbarëvajtjen e punës në klinikat private profesionale, ku konkurrenca e pandershme, abuzimi me emrin e fizioterapistit, apo hapja e pakontrolluar e pseudo qendrave të fizioterapisë, po zhvlerësojnë çdo ditë e më shumë profesionin tonë. Edukimi në vazhdim është një problematikë tjetër tepër serioze, e cila ndërsa mbetet e paadresuar dhe krijon rënie të cilësisë së shërbimit dhe mos avancim profesional”,– tha Daci.

Arsyet dhe baza ligjore për themelimin e Urdhërit Profesional te Fizioterapsitëve dhe letra e Bashkimit Europian për institucionet në Shqipëri

SHOQATA SHQIPTARE E FIZIOTERAPISTËVE, anëtare e Konfederatës Botërore të Fizioterapisë dhe të Rajonit Evropian ER-ËCPT në Bashkimin Europian, në emër të mbi 2500 anëtarëve të saj, kërkon krijimin e URDHËRIT PROFESIONAL TË FIZIOTERAPISTËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, për arsye si më poshtë:

1. Për zbatimin e Ligjit Nr. 10 171, datë 22.10.2009, për Profesionet e Rregulluara në Republikën e Shqipërisë. Ky ligj parashikon organizimin e Urdhrit Profesional të Profesioneve të Rregulluara, në rastin konkret të profesionit të fizioterapistit.

2. Përfshirja e fizioterapistëve nën Urdhrin e Infermjerit të Shqipërisë në Ligjin për këtë Urdhër, Ligji Nr.9718, datë 19.4.2007, përbën një padrejtësi dhe anormalitet të cilën e korrigjon Ligji Nr. 10171, i Profesioneve të Rregulluara i vitit 2009.

– Statuti i Urdhrit të Infermjerit parashikon vetëm karakteristikat profesionale të Infermjerit, ndërkohë që kemi të bëjmë këtu me dy profesione dimensionalisht të ndryshme.

– Nuk parashikon Kodin Deontologjik të Fizioterapistit.

– Nuk rregullon të drejtat dhe detyrimet e veҫanta profesionale të Fizioterapistit.

– Nuk ka as përkufizimin e Fizioterapisë si profesion minimalisht të OBSH, as edhe një citim të veҫantë për këtë profesion mbi protokollet e rehabilitimit, ushtrimit të profesionit, marrëdhëniet akademike, konkurencës, kontrollit te klinikave te rehabilitimit, marrëdheniet dhe detyrimet e vecanta ligjore dhe etike që karakterizojnë profesionin e fizioterapistit dhe përgjegjësitë e tij.

– Mungesa e Kuadrit Ligjor brenda këtij Urdhri për fizioterapistët është pengesa kryesore e realizimit të profesionit të fizioterapistit. Kjo anomali mund të rrezikojë që Licensën e Ushtrimit të Profesionit të Fizioterapistit ta kenë edhe persona që nuk kanë studimet përkatëse për këtë sipas Ligjit, duke përbërë një rrezik të madh për pacientin shqiptar.

– Të qenurit pjesë e një grupi kaq heterogjen si Urdhri i Infermjerit, përbën një problem tjetër shumë të madh në organizimin dhe kontrollin e protokolleve të cilësisë së rehabilitimit, të organizimit dhe kontrollit të cilësisë së punës dhe shërbimeve të ofruara pacientit shqiptar.

3. Mungesa e Urdhërit Profesional të Fizioterapistëve përbën një vështirësi të pakalueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, institucionet e të cilave nuk e parashikojnë dot një anomali të tillë ligjore dhe reale, sepse ne jemi i vetmi vend në botën e zhvilluar ku një profesion i rregulluar me ligj nuk ka Urdhrin e tij Profesional.

4. Rregullimi i Profesionit të Fizioterapistit për t’i ofruar pacientit shqiptar cilësinë më të lartë të shërbimit, sipas parametrave të Bashkimit Evropian është një domosdoshmëri ligjore dhe etike. Shoqata Shqiptare e Fizioterapistëve është anëtare me të drejta të plota e Konfederata Botërore e Fizioterapisë cila përfaqëson 450,000 fizioterapistë anekënd botës me 109 vende anëtare dhe ofron asistencën e nevojshme profesionale dhe ligjore nëpërmjet saj. Më shumë se 4000 fizioterapistë dhe studentë të fizioterapisë në Shqipëri kërkojnë me urgjence krijimin e Urdhrit Profesional të Fizioterapistëve të Shqipërisë.