Fermerët shqiptarë përballen me vështirësi të shumta. Farërat dhe fidanët e paçertifikuar, çmimet e larta të agregateve dhe mekanikës bujqësore, mos drenazhimi i tokave dhe mos funksionimi i kanaleve ujitëse janë dëshmi të gjendjes kaotike në të cilën zhvillohet bujqësia në vendin tonë. Në ndryshim nga rendimentet e larta të ish-fermës së Sukthit që mbulonte me produkte bujqësore edhe tregun e huaj, në ditët tona tregu ynë është mbytur nga produktet e importit

Ferma e Sukthit ka qenë ndër ndërmarrjet lider në vendin tonë dhe shkollë e madhe përvoje e kualifikimi për një periudhë 70-vjeçare. E krijuar nga shoqëria italiane e bujqëve EIAA në vitin 1926 ndërmarrja u transformua brenda pak viteve në prodhuesen kryesore në drithëra, perime e qumësht. Aty janë shënuar rendimente rekord në nivel kombëtar e ndërkombëtar, ndërsa prodhimet, kryesisht perimoret, eksportoheshin për në vendet e Perëndimit dhe të Lindjes. Sipërfaqja e tokës arë e fermës arriti në 9000 ha dhe në qendër Sukth, Perlat, Kullë, Hamallë, Rrushkull, Fllakë, sektorin Rinia e Xhafzotaj mbanin ekonominë familjare 1100 punëtorë e specialistë. Në sajë të përmirësimit teknologjik dhe politikave agrare ndërmarrja transportonte çdo ditë për në Tiranë 3 bote plot më qumësht, eksportonte vetëm domate 1500 ton çdo vit për tregun e huaj dhe dhjetëra kamionë të mbushura me perime e bostanore, merrte 45- 50 kv grurë për ha, prodhonte EF1 farën elitë, prodhoi 10 bizonin për herë të parë, mbarështroi 2200 krerë lopë të rracës Laramane dhe Xhersej, siguroi 30 litër qumësht për lopë, 350 kv për dynym perime dhe 50 kv grurë për ha. Kryeagronomi i kësaj ferme deri në vitin 1981, Nezir Koni në një intervistë për “Dyrrah” tregon për arritjet e fermës, prodhimet cilësore dhe rendimentin e lartë të sipërfaqeve bujqësore dhe blegtorisë që ishte në varësi të kësaj ndërmarrjeje. Duke u ndalur në krahasimin mes bujqësisë së viteve të regjimit komunist dhe eksperiencës së këtyre viteve trazicion Koni nënvizon se sot bujqësia duhet të ketë prioritet mbi industrinë. Sipas tij, fermerët duhet të ndihmohen me politika  mbështetëse. Vetëm kështu ky sektor të të mund të rimëkëmbej.  

Në cilësinë e kryeagronomit keni shërbyer në fermën e Sukthit për më shumë se 2 dekada. Jeni dëshmitarë i zgjerimit të sektorëve dhe redimenteve të larta në këtë fermë….

Ferma e Sukthit kishte nën administrim 9000 ha tokë, sipërfaqe që u ruajt si e tillë deri në vitet 1993-1994. Pas kësaj periudhe ferma u prish, u shkatërrua dhe sot duket se nuk ka më asnjë pëllëmbë tokë bujqësore, pasi e gjitha u zu me ndërtime. Në këtë ndërmarrje kanë punuar 1100 punëtorë e specialistë pa përfshirë në këtë numër të punësuarit në sektorin e ndërtimit, sektorin e mekanikës, prapavijën me dyqane, lokale shërbimi, mensa, kopshte, çerdhe, shkolla e të tjera. Për shkak të zgjerimit u krijua sektori i perimores 1,2; sektori serave- Xhafzotaj, Qendër, Kullë, Perlat, Hamallaj, Rrushkull, Fllakë, Rinia, Golem. Kishte nga një brigadë të madhe të mekanikës në çdo qendër sektori si dhe një sektor transporti. Parësore në fermën e Sukthit ishte prodhimi i drithërave të bukës dhe i qumështit. Krahas këtyre u investua shumë për të kultivuar dhe marrë rendimente të larta në bimë industriale si luledielli dhe perime, bostanore e patate. Në sajë të seriozitetit, bëmë të mundur të mekanizojmë plotësisht agrofondin e sojës, e cila ishte shumë e domosdoshme për linjën industriale dhe atë blegtorale.

Me zgjerimin e fermës a iu kushtua rëndësi edhe ndërtimit të serave?

Sektori i serave kishte një sipërfaqe prej 9 ha. Fillimisht u blenë 10 ha. Nga kjo 1 ha iu dha Institutit të Patates për eksperimentime shkencore. Sektori ishte shumë itensiv. Vetëm 5.4 përqind e sipërfaqes së përgjithshme të tokës së fermës qe serë, ndërsa mbulonte afro 50 përqind të të ardhuara të të gjithë ndërmarrjes. Çdo vit eksportonim deri në 1500 ton domate. Më shumë se 25 kamion me shalqi mbusheshin çdo ditë dhe shkonin në port për t’u eksportuar. Falë klimës dhe teknologjisë së kohës në sera merrnim 3 prodhime në vit: kulturë e parë, interkala-trangull, domate të dytë. Këtë favor nuk e kishte as Hollanda, vendi të cilin ne morëm si model për ndërtimin e serave. Unë dhe dy specialistë të tjerë kemi qenë në Holldanë në prill të vitit 1972 dhe për 3 muaj morëm përvojën e atjeshme. Rendimenti në domate në sera shkoi në 1200 kv për ha. Perimorja u zhvillua shumë, ndërmarrja kishte 400 ha të mbjellë me perime. Vetëm në fshatin Lekaj ngarkonim çdo ditë 30-31 vagonë me shalqi, bostan, spec, presh, lakër dhe e gjithë kjo sasi shkonte në Çeki. Tregtarët çekë, duke parë kërkesën shumë të madhe të tregut të huaj, domaten tonë e shisnin në vende të tjera duke fituar 3-4 herë më shumë sesa çmimi me të cilin e blinin në vendin tonë. Kulturë të parë e të dytë në perimore merrnim 300 kv për dynym dhe ky rendiment habiste edhe specialistët hollandezë. Atje, në Hollandë, ne mësuam shumë. Këto njohuri i zbatuam praktikisht sapo erdhën në fermë ndaj edhe patëm rendimente shumë të larta. Serat hollandeze i ndërtuam në vitin 1971 dhe që nga ajo kohë patëm rendimente të larta, të krahasueshme me ato të vendeve të zhvilluara në Perëndim.

Po rendimenti i fermës përsa i përket drithërave dhe qumështit si ishte?

Brenda tre viteve u sistemuan 1000 ha tokë bujqësore. Kjo rriti sipërfaqen për të shtuar sasinë e drithërave. Sektorët Xhafzotaj, Rrushkull, Hamallaj, Qendër e Kullë kishin pikërisht këtë orientim. Sukthi u kthye në ndërmarrje shkollë. Deri në vitin 1965 në sektorin e Rrushkullit merrej jo më shumë se 13 kv për ha drithëra, ndërsa ne, në sajë të mekanizimit të bujqësisë dhe përdorimit të farërave cilësore, e rritëm prodhimin deri në 45-50 kv për ha grurë. Asokohe Rrushkulli kishte si sektor 1000 ha tokë bujqësore, 800 lopë dhe 2500 krerë dele. Vite më parë fermeri merrte jo më shumë se 750-800 litër qumësht në vit. Me futjen e rracës Laramane dhe Xhersej prodhimi shkoi në 3000 litra qumësht për lopë. Kishte edhe lopë rekordmene e cila prodhonte 30 litra qumësht në ditë. Çdo ditë 3 bote të mëdha të mbushura me qumësht shkonin për tregun e Tiranës. Sukthi ishte furnizuesi kryesor me qumësht, perime e bostanore për kryeqytetin dhe kështu vijoi deri sa u krijua ndërmarrja bujqësore “Gjergj Dimitrov”. Edhe blloku i udhëheqjes së lartë politike merrte perimet tona. Ferma e Sukthit arriti të prodhojë për herë të parë 10 bizonin dhe kjo i dha shtytje tjetër bujqësisë. Ndërmarrja kishte specialistë me shumë përvojë si Faik Lumi, Mihal Dalani, Babë Sula- Sulejman Gallaj, Teki Malindi, Sali Kubadi e të tjerë. Për të ndjekur ecurinë e kësaj ndërmarrje, e cila qe më e madhja në Shqipëri, vinin herë pas here edhe përfaqësues të lartë të Komitetit Qendror dhe ministra. Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Themie Thomai, Manysh Myftiu etj. kanë parë nga afër ecurinë e fermës duke lavdëruar punën e bërë, por edhe duke ndëshkuar drejtues të fermës.

Sukthi ishte fermë pararojë në Shqipëri. Cilat ishin arsyet e ndëshkimit të drejtuesve të lartë të ndërmarrjes nga udhëheqja politike e kohës?

Më së shumti ndëshkimet nuk kishin asnjëfarë justifikimi. Ishte strategji e kohës për të goditur herë pas here. Në shkurt të vitit 1981 kryeministri Mehmet Shehu mori pjesë në një seminar që organizohej në Sukth. Të pranishëm në këtë seminar ishin specialistë, kryeagronomë e drejtues të fermave nga e gjithë Shqipëria. Sukthi kishte rendimente jo të mira në drithëra dhe në prodhimin e qumështit atë vit për shumë arsye, por ishte shumë më mirë se çdo ndërmarrje tjetër në Shqipëri. Pra nuk kishte asnjë arsye për ta bërë objekt kritike. Mehmeti shoqërohej nga Themie Thomai dhe në fjalën e tij u shpreh se “këtu nuk punohet si duhet”. Kaq mjaftoi. Kryeministri në 3-4 javët e fundit kishte qenë në disa ndërmarrje dhe kudo që shkoi pushoi nga puna drejtorin dhe kryeagronomin, ekonomistë e financierë. U thashë kolegëve se e hënga telin e qenit. Nuk shkoi veçse disa ditë dhe erdhi zëvendëskryeministri Adil Çarçani për të dhënë masën ndëshkimore ndaj meje dhe drejtorit. Unë e kam takuar edhe herë të tjera Adil Çarçanin, ndërsa me kryeministrin Shehu ai qe takimi i parë e i fundit. Dhjetë vite më parë pata përfunduar specializimin në Hollandë dhe së bashku me dy specialistë të tjerë ndërtuam serat e para në Sukth, të modelit hollandez. Vija nga një përvojë shumë e mirë në Rrushkull ku mora 50 kv grurë për ha nga 13 kv që merrej deri në atë kohë. Por në rastet që të merrte lapsi duhej menduar të shpëtojë vetëm kokën dhe nuk bëhej fjalë për asgjë tjetër. Edhe të ndëshkonin, edhe të ndihmonin. Si të të kapte lapsi. Më kujtohet se një herë u detyrova t’i shkruaj Adil Çarçanit pasi djali im 6 vjeç, muzikant, violinist, me perspektive shumë të mirë, u hoq nga lista për të shkuar në Prevezë të Greqisë. Shkak ishte bërë një letër anonime në të cilën shkruhej se fëmija im ishte nipi i Skënder Barçit, i dënuar nga regjimi komunist i kohës. I bëra telegram kryeministrit dhe më priti Manush Myftiu, i cili pasi më dëgjoi urdhëroi që djali im të rikthehej në listë me të tjerët.

Sot im bir është në Malajzi si violinist. Në atë kohë edhe mund të gjeje drejtësi, por edhe mund të zhyteshe e të mos e shikoje dritën e diellit. Varej si trajtoheshe nga baza, ç’thuhej pas krahëve. Edhe kur më thanë të shkoja për specializim në Hollandë persona anonim shkruajtën një letër tetë faqe të gjatë për të më penguar. Qe këmbëngulja e drejtorit Sulejman Gallaj i cili mori përsipër garancinë se unë do të kthehesha në Shqipëri. Atje, në Hollandë, mësova jo shumë në drejtim të specialitetit sesa të kulturës së punës. Serat në Sukth fillimisht i hapën përfaqësues të firmës hollandeze dhe unë pata mundësi të komunikoj me ta për ecurinë e serave. Pikërisht me njërin prej tyre shkuam në Hollandë për eksperiencë 3-mujore. Sapo mbërritëm na dhanë normën ditore dhe të gjithë punën tonë e matnin në fund të ditës. Na habiste një veprim i tillë jo vetëm për faktin se ne nuk kishim shkuar si punëtorë, por edhe se e njihja specialistin e huaj. Por atje gjërat ishin dryshe. Një herë ne shkuam 5 minuta me vonëse. Ai nuk na tha gjë. Krahas nesh ishte edhe një punëtor vendës. Kur erdhi koha e pushimit specialisti hollandez hapi derën e serës dhe mori vetëm punëtorin hollandez i cili kishte ardhur në orar në punë. Kjo ishte disiplinë e fortë. Sigurisht u ndiem keq, por më vonë na shërbeu, pasi vetëm në këtë mënyrë ne mundëm të drejtonim sektorin e bujqësisë.   

Në këndvështimin tuaj orientimet për bujqësinë kanë qenë më të mira në atë peridhë apo pas viteve 1990?

Varet se nga cilët tregues do të duhet të masim kohët, periudhat. Ne i prodhonim vetë farërat e zgjedhura, produkti ishte në standarte dhe çdo gjë çertifikohej. Kishim institut për linjat bujqësore dhe eksportonim sasi të mëdha, aq sa mbulonim gjysmën e të ardhurave. Sot ka probleme të panumërta. Pikë së pari ferma u shkatërrua plotësisht. Nuk është fjala si strukturë por toka bujqësore u zaptua, u pushtua nga betoni e hekuri, një krim i madh dhe i pariparueshëm të cilin do e vuajnë brezat. Nuk bëhet fjalë më për sipërfaqe të kulluara e të drenazhuara pasi janë bllokuar të gjitha kanalet. Asnjë farë, veç misrit e ndonjë faragjereje nuk prodhohet më në vend, të gjitha importohen. Prodhonim EF1 për domaten, specin, trangullin, pjeprin… Sot fermeri merr farë të pakontrolluar dhe rendimenti bie përtokë, në ato limite që ne e kishin në vitet 1955-1960 vetëm për arsyen se nuk ka më institucione prodhimi. Fermeri mori tokën, por nuk ka agregat. Nuk përballon dot çmimin në impute bujqësore. Është i pambrojtur nga farërat, pesticidet, plehrat të cilat tregtohen me çmime shumë të larta. Vetëm dy vite më parë nitrati ishte 4400 lekë për kv, sot është 8700 lekë për kv. Punimet dhe shërbimet e tjera mekanike janë rritur.

Nuk funksionon më rrjeti i ujitjes në pjesën më të madhe të sipërfaqeve bujqësore. Nafta shitet me të njëjtin çmim si për serat, si për fermerin edhe për mekanikën bujqësore. Bujqësia është duke u zhvilluar në mënyrë të paplanifikuar. Nga 9000 ha tokë që kishte ferma sot ka parcela-parcela, ngastra-ngastra të shkëputura, fare pak të mbjella. Sipërfaqe jo të vogla nuk punohen fare. Importi mbyt prodhimin vendës dhe fermeri nuk e ka të sigurtë prodhimin. Para viteve 1990 prioritet kishte në fillim industria dhe më pas bujqësia. Sot bujqësia duhet të ketë prioritet. Këtu tek ne ka vullnet ndër fermerë, por kërkohen politika mbështetëse. Me vullnet dhe kujdes mund të rindërtohet ky sektor me shumë rëndësi. Duhet pranuar se është rritur ndjeshëm sipërfaqja me sera, vreshta, ullinj, agrume. Është sinjal shumë pozitiv, por nuk mjafton. Duhet mbështetur e mbrojtur nga shteti me nisma edhe të shoqatave të fermerëve. Por tregu, edhe atje ku prodhohet, është i pakontrolluar. Nëse do të shkoni në Lushnje do t’iu bjerë në sy numri i madh i furgonëve me targa të Kosovës. Deri në 50 të tillë shpërndahen nëpër arat e fshatrave të Lushnjes dhe mbushen me prodhimet e stinës. Por asnjëri produkt nuk është i çertifikuar. Prodhimet janë shumë cilësore, por kjo nuk mjafton. Blerësi europian kërkon dokumentin e laboratorit, çertifikatën e mallit, ndryshe nuk e merr. Kjo gjë nuk po merr zgjidhje dhe e mban të pazhvilluar tregun bujqësor vendës duke e mbytur atë me prodhime të importuara dhe që nuk arrijnë kurrë tek cilësia e produkteve vendëse.

 

Vizita e Mehmet Shehut në Fermë

Në shkurt të vitit 1981 kryeministri Mehmet Shehu mori pjesë në një seminar që organizohej në Sukth. Të pranishëm në këtë seminar ishin specialistë, kryeagronomë e drejtues të fermave nga e gjithë Shqipëria. Sukthi kishte rendimente jo të mira në drithëra dhe në prodhimin e qumështit atë vit për shumë arsye, por ishte shumë më mirë se çdo ndërmarrje tjetër në Shqipëri. Pra nuk kishte asnjë arsye për ta bërë objekt kritike. Mehmeti shoqërohej nga Themie Thomai dhe në fjalën e tij u shpreh se “këtu nuk punohet si duhet”. Kaq mjaftoi. Kryeministri në 3-4 javët e fundit kishte qenë në disa ndërmarrje dhe kudo që shkoi pushoi nga puna drejtorin dhe kryeagronomin, ekonomistë e financierë. U thashë kolegëve se e hënga telin e qenit. Nuk shkoi veçse disa ditë dhe erdhi zëvendëskryeministri Adil Çarçani për të dhënë masën ndëshkimore ndaj meje dhe drejtorit. Unë e kam takuar edhe herë të tjera Adil Çarçanin, ndërsa me kryeministrin Shehu ai qe takimi i parë e i fundit.