Tiranë, 7 mars 2014 – Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrimin, Majlinda Bregu ka deklaruar sot se konkluzionet e publikuara pa dijeninë e opozitës nuk reflektojnë shqetësimet e saj për shkeljen e standardeve demokratike nga qeveria, për situatën e rëndë të kriminalitetit për shkarkimin e 5 mijë nëpunësve e zhbërjen e shumë arritjeve që po vënë në rrezik marrjen e statusit.
Ish-ministrja e Integrimit akuzon mazhorancën për atë që e cilëson si zerim të dialogut me opozitën, duke mos marrë në konsideratë mendimin ndryshe të PD-së në tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE.
“Ne jemi njohur me këto konkluzione vetëm sot, nuk na janë bërë dje të ditura. Gjithëpërfshirje do të thotë përfshirje e mendimit ndryshe të paraqitur nga ne në tryezë, të cilat qeveria duhet t’i marrë në konsideratë nëse kërkon bashkëpunim. Sot në Shqipëri mazhoranca e ka zeruar dialogun politik, ky nuk është standard evropian, është diktat.”- deklaroi Bregu.
Ish-ministrja kujtoi se në takimin Shqipëri-BE, opozita shqiptare ka ngritur shqetësimin për administratën publike, dhunimin e institucioneve të pavarura, shkeljen e rregullores së Kuvendit, dhe situatën e rendit, që sipas tyre është tepër e rëndë.
“Në emër të PD theksoj se ne ishim dje në dialogun e dytë të nivelit të lartë për t’i kërkuar qeverisë të heqë dorë nga shkelja e parimeve demokratike, nga arbitrariteti, të braktisë frymën e konfliktualitetit, të rikthejë rendin dhe qetësinë.”- u shpreh Bregu.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





