4 shtator 2015 – Me rastin e hapjes se procedurës konkuruese për zonën ekonomike të Spitallës, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj organizoi sot një tryezë të rrumbullakët me Dhomat e Tregtisë, përfaqësues të biznesit, Atashe Tregtarë dhe Ekonomikë të Ambasadave të akredituara në Tiranë dhe përfaqësues të mediave.
Në datën 24 gusht, Agjencia e Prokurimit Publik publikoi Njoftimin e Kontratës për zonën e Spitallës, njoftim i cili u publikua edhe në gazetën ndërkombëtare “Financial Times”.
Në fjalën e tij, ministri Ahmetaj tha se projekti i Zonave të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik është një nga më të rëndësishmit që qeveria shqiptare, në bashkëpunim me ekipin e Universitetit të Harvardit, ka punuar përgjatë më shumë se një viti.
Projekti i zonave bazohet në parimet e produktivitetit, parashikueshmërisë dhe përfitueshmërisë, me qëllim krijimin e një mjedisi biznesi me regjim të veçantë juridik dhe fiskal, që stimulon investimet, zgjeron bazën e industrive dhe teknologjive të reja dhe mbi të gjitha, ofron kushte për punësim.
Ministri e vuri theksin te procedura e konkurrimit, transparente, e hapur dhe e bazuar në ligj. Sipas VKM nr.666 datë 29.07.2015, “Për shpalljen e zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në Spitallë , Durrës” i ndryshuar, me VKM, përcaktohet se llojet e veprimtarisë që do të zhvillohen në zonë janë:
Prodhuese, industriale dhe agropërpunuese; Industri të reja me Teknologji Hi-Tec dhe inovatore; Industri eficente në përdorimin e energjisë; Industri me produktivitet të lartë; Aktivitete të teknologjisë së informacionit; Pjesë këmbimi për makina, materiale ndërtimi, përpunim ushqimor etj; Tregtare dhe magazinim mallrash; Shërbime (administrimi, bankare, doganore, shëndetësore, juridike, kompani sigurimesh, noteriale etj); Aktivitet transporti; Aktivitet logjistike ndihmëse etj.
Periudha e funksionimit të zonës është 99 vjet, ndërsa kriteret e vlerësimit të ofertave sipas peshës specifike janë:
-Propozimin e projektit teknik 20 pikë;
-Ndikimi mjedisor 6 pikë;
-Ndikimi social dhe numri i të punësuarve 16 pikë;
-Kohëzgjatja e punimeve 8 pikë
-Kapaciteti financiar i kompanisë për financimin e projektit 50 pikë. (Shiko tabelën më poshtë)
Ligji i ri për Zonat e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik parashikon incentiva fiskale dhe lehtësi proceduriale për zhvilluesit dhe përdoruesit e zonës:
• Zhvilluesit dhe përdoruesit përjashtohen nga pagesa e 50 % të normës së tatim-fitimit për 5 vitet e para;
• Zhvilluesit që investon në zonë, brenda 3 viteve nga data e fillimit të punimeve, ose perdoruesit që investon në zonë, brenda 3 viteve nga fillimi i veprimtarisë ekonomike të zonës, i njihen si shpenzime të zbritshme, të periudhës tatimore, 20 për qind e shpenzimeve kapitale vjetore, pavarësisht nga shumat e amortizimit, sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat, për një periudhë 2-vjeçare;
• Furnizimi i mallrave shqiptare, të destinuara për t’u vendosur në zonë, konsiderohet si furnizim për eksport me shkallë zero;
• Projekti i zhvilluesit përjashtohet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë;
• Ndërtimet e realizuara në zonë, përjashtohen nga taksa e pasurisë së paluajtshme për 5 vjet dhe nga taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë
• Shpenzimet për paga dhe kontributet shoqërore e shëndetësore, që punëdhënësi paguan për punëmarrësit, njihen 150 për qind të vlerës gjatë vitit të parë fiskal të ushtrimit të aktivitetit. Në vitet në vijim, shpenzimet shtesë për pagat, në raport me vitin paraardhës, për efekt të llogaritjes së fitimit të tatueshëm, njihen si shpenzime të njohura me 150 për qind të vlerës;
• Kostot e trajnimit të punonjësve dhe shpenzimet për R&D për efekt të llogaritjes së fitimit të tatueshëm, njihen si shpenzime të njohura të periudhës tatimore me dyfishin e vlerës, për një periudhë 10-vjeçare nga fillimi i veprimtarisë ekonomike;
• Marrja e licensave – Afati per marrjen e lejeve dhe licensave eshte 15 ditë pune nga dorëzimi i kërkesës;
• Klauzola e stabilitetit – Sigurimi i garancive të përshtatshme në favor të investitorit, me të cilin do të mbrohet kundër pasojave financiare të legjislacionit për një periudhë 10-vjeçare.
Afati për procedurën e konkurimit është 65 ditë nga data e publikimit, deri më 28 tetor 2015. Vlerësimi i ofertave do të bëhet brenda 30 ditëve nga përfundimi i afatit të konkurimit.
/S.L. portali DurresLajm/