Tiranë 14 maj 2014 – Autoriteti i Konkurrencës ka hartuar rregulloren “Për kategoritë e marrëveshjeve, vendimeve dhe praktikave të bashkërenduara në sektorin e transportit detar të mallrave1” e cila do të zbatohet për marrëveshjet e konsorciumit, për sa kohë që ato ofrojnë shërbime të transportit ndërkombëtar detar të mallrave nga ose tek një nga portet e territorit të Republikës së Shqipërisë. Rregullorja është publikuar për konsultim publik nga Autoriteti.
Marrëveshjet e konsorciumeve në transportin detar kërkojnë një nivel të lartë investimesh për shkak të blerjes apo marrjes me qira nga anëtarët e saj të pajisjeve të veçanta me qëllim krijimin e konsorciumit dhe ngritjen e qendrave operacionale të përbashkëta. Konkurrenca pranon, që marrëveshjet e shërbimit të përbashkët ndërmjet ndërmarrjeve të transportit detar nëpërmjet rregullimeve teknike, operacionale dhe/ose tregtare (të përkufizuara si konsorciume) ndihmojnë për të siguruar mjetet e nevojshme për përmirësimin e produktivitetit të shërbimeve të transportit detar dhe të promovojnë progresin teknik dhe ekonomik.
Por, Autoriteti thekson se është e rëndësishme që një pjesë e përfitimeve të kalohen tek transportuesi i mallit dhe të mos kufizohet konkurrenca.
Konsorciumi (partneriteti) në përgjithësi ndihmon në përmirësimin e produktivitetit dhe cilësisë së shërbimeve të transportit detar nëpërmjet racionalizimit që ato sjellin tek aktivitetet e ndërmarrjeve anëtare dhe nëpërmjet ekonomive të shkallës që ato lejojnë në përdorimin e anijeve dhe përdorimin e lehtësirave në port. Ato gjithashtu ndihmojnë në promovimin e progresit teknik dhe ekonomik duke lehtësuar dhe inkurajuar një përdorim më të madh/gjerë të kontenierëve dhe përdorim më efecient të kapaciteteve të anijeve. Një karakteristikë e rëndësishme e konsorciumeve është mundësia për ti përshtatur kapacitetet në përputhje me flukset e ofertës/furnizimeve dhe kërkesës. Kufizimi i pajustifikuar i kapaciteteve dhe shitjeve dhe fiksimi i përbashkët i normave/tarifave të ngarkesave të mallit ose të shpërndarjes së tregjeve apo klientëve është e pamundur që të sjellin ndonjë eficencë. Prandaj, përjashtimi i ofruar në këtë rregullore nuk do të zbatohet për marrëveshjet e konsorciumeve që përfshijnë aktivitete të tilla, pavarësisht fuqisë së tregut të palëve.
Konkurrenca, në rregulloren e saj, ka përcaktuar dhe rastet kur këto marrëveshje përjashtohen nga neni 4 i ligjit të konkurrencës (për marrëveshjet e ndaluara).
Në përputhje me nenin 6 të ligjit dhe në përputhje me kushtet e përcaktuara në këtë rregullore, neni 4 i ligjit nuk do të zbatohet për aktivitetet e mëposhtme të konsorciumit:
1. Ushtrimi i përbashkët i shërbimeve të transportit detar, që përfshijnë një nga aktivitetet e mëposhtme:
a) Koordinimin dhe/ose fiksimin e përbashkët të kalendarit te lundrimit dhe përcaktimin e porteve të dërgimit;
b) Shkëmbimin, shitjen ose dhënien e të drejtave reciproke ( cross-chartering ) për hapësirën e anijeve;
c) Grumbullimin e anijeve dhe/ose instalimeve në porte;
d) Përdorimin e një ose më shumë zyrave të përbashkëta të veprimtarive;
e) Dispozitat mbi kontenierët, shasitë dhe pajisje të tjera dhe/ose dhënia me qera, marrja me qera ose kontratat e blerjes për pajisje të tilla;
2. Rregullimet lidhur me kapacitetet në përputhje me flukset në oferta dhe kërkesa;
3. Ushtrimi i përbashkët ose përdorimi i terminaleve të porteve dhe shërbime që lidhen me to (të tilla si shërbime të marinarëve apo të punëtorëve të ngarkim shkarkimit);
4. Ndonjë aktivitet tjetër ndihmës të aktiviteteve që referohen sipas pikave 1, 2 dhe 3 të cilat janë të nevojshme për zbatimin e tyre të tilla si:
a) Përdorimi i një sistemi të kompjuterizuar të shkëmbimit të informacionit; 3
b) Detyrimi për anëtarët e konsorciumit, që të përdorin tregjet përkatëse ose tregjet e anijeve të konsorciumit dhe të shmangen nga hapësirat e anijeve që i përkasin palëve të treta;
c) Detyrimi i anëtarëve të konsorciumit që të mos caktojnë apo të japin hapësira tek transportues /anije të tjera në tregun përkatës ose tregjet përkatëse me përjashtim të rasteve kur ka një miratim/pëlqim paraprak të anëtarëve të tjerë të konsorciumit.
Rregullorja përcakon gjithashtu që përjashtimi i parashikuar në nenin 4 të kësaj rregulloreje, nuk do të zbatohet për konsorciumin i cili direkt ose indirekt, veçmas ose në kombinim me faktorë të tjerë ka për objekt:
1. Caktimin e çmimeve kur ofrohen shërbime të transportit detar tek palë të treta;
2. Kufizimin e kapaciteteve apo të shitjeve me përjashtim të kapaciteteve të referuara në nenin 4, pika 2;
3. Shpërndarjen e tregjeve ose të klientëve.
Kushtet lidhur me pjesën e tregut
1. Me qëllim që një konsorcium të përfitojë nga përjashtimi sipas kritereve të nenit 4 të kësaj rregulloreje, pjesa e kombinuar e tregut të anëtarëve të konsorciumit në tregun përkatës në të cilën ushtron aktivitet konsorciumi, nuk duhet të tejkalojë 30 % të tregut, të llogaritur duke iu referuar volumit total të produkteve të transportuara në ngarkesë mallrash me tonë ose prej njësish prej 20-foot equivalent units. (6 metra).
2. Për përcaktimin e pjesës së tregut të një anëtari të konsorciumit, duhet të merren në konsideratë volumet totale të transportuara në tregun përkatës pavarësisht nëse këto volume janë transportuar :
a) brenda konsorciumit në fjalë;
b) brenda një konsorciumi tjetër, tek i cili anëtari është palë, ose;
c) jashtë konsorciumit të vetë anëtarit ose anijes së një pale të tretë.
3. Përjashtimi i parashikuar në nenin 4 të kësaj rregulloreje, do të vazhdojë të zbatohet nëse pjesët e tregut të referuara në paragrafin 1 të këtij neni janë tejkaluar përgjatë ndonjë periudhe kohore prej 2 vitesh kalendarike të njëpasnjëshme nga jo më shumë se sa 1/10.
4. Kur një nga kufizimet e përcaktuara nga paragrafët 1 dhe 3 të këtij neni është tejkaluar, përjashtimi i parashikuar në nenin 4 të kësaj rregulloreje do të vazhdojë të zbatohet për një periudhë prej 6 muajsh që ndjek vitin kalendarik, në të cilin kjo periudhë është tejkaluar. Kjo periudhë do të zgjatet deri në 12 muaj, nëse ky tejkalim ka ardhur si pasojë e tërheqjes/daljes nga tregu të transportuesit, i cili nuk është më anëtar i konsorciumit.
INFO / Neni 4 i ligjit për konkurrencën
Marrëveshjet e ndaluara
1. Ndalohen të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që:
a) caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi;
b) kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet;
c) ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit;
ç) në marrëdhëniet tregtare me palët e tjera, zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence;
d) kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që, për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave.
/Monitor/





