Dy “Big Brothers” njëri pas tjetrit, kjo është historia e Heidi Bacit, e cila është bërë pjesë e shtëpisë më të famshme në Shqipëri.

Heidi, 26-vjeçarja shqiptare, e lindur në Itali, por me origjinë shqiptare, “vodhi” vëmendjen e italianëve por jo vetëm, me historinë e saj brenda “Grande Fratello” në Itali, ku disa nga mediat italiane, e cilësuan si fituesen e këtij Big Brother.

Që në prezantimin e saj të parë, bukuroshja shqiptare ka folur për origjinën e saj dhe e ka pushtuar publikun italian. Heidi është bërë një nga personazhet më të pëlqyera, aq sa nga një e panjohur, ajo tashmë ka ndjekës shumë aktiv.

Gjatë qëndrimit në Big Brother, ajo filloi të krijojë një lidhje të veçantë dashurie me aktorin Massimiliano Varrese, i cili është 21 vite më i madh se ajo. Kjo lidhje e shqetësoi babanë e saj, Gentin, i lindur në Shkodër. Gjatë episodit të transmetuar në Canale 5 në mbrëmjen e 16 tetorit, babai i saj vendosi të hyjë në shtëpi për t’i bërë të ditur vajzës së tij se nuk ishte dakord me këtë lidhje.

“Erdha këtu sepse të dua. Zgjedhja jote e gabuar na habiti. Mami dhe unë jemi të tronditur dhe të shkatërruar. Ti dhe një burrë më i madh se unë, i cili do të dalë në pension së shpejti. Nuk të njoh më. Nuk ke arritur të vendosësh një mur me një person që të shkakton stres. Mami nuk të shikon më nga ai moment. Unë jam këtu sepse nuk do të lejoj askënd ta trajtojë keq vajzën time. Nuk lejoj askënd të shkelë dinjitetin e saj”, ishin fjalët e Gentit.

Heidi i kërkoi falje ndërsa tha se ka gabuar, kjo për shkak edhe të presionit brenda shtëpisë.

“Jashtë është një botë e bukur që të pret. Po sikur Massimiliano të përndiqte? Mua më është dukur pikërisht kështu”, tha ai, ndërsa moderatori Alfonso Signorinit, i tha se fjalët kanë peshë dhe duhen matur dhe përdorur siç duhet.

“Zotëri, deklaratat tuaja janë shumë të forta dhe më duket se nuk jam dakord. Massimiliano nuk e trajtoi kurrë keq Heidin dhe nuk përdori kurrë dhunë. Kjo duhet thënë absolutisht për nder të së vërtetës. Nuk e kuptoj se cili është problemi, nëse është vetëm mosha e Massimilianos”, theksoi Signorini përpara se t’i kërkonte Heidit të përballej me Massimilianon sepse një shpjegim ishte i domosdoshëm.

“Të respektoj, të admiroj, nuk je i dhunshëm. Babait tim nuk i pëlqen të shohë dikë që ka një qëndrim shtypës ndaj meje. Përfundimi është gjithmonë i njëjtë: pëlqimi ishte, unë u magjepsa nga ty, por le t’i japim fund. Jemi njerëz të ndryshëm”, tha Baci, drejtuar Varreses.

Heidi, pas lotësh dhe përqafimeve me të atin, zgjodhi të dilte nga shtëpia pas 40 ditësh qëndrimi, nga frika se mos kishte zhgënjyer babanë dhe nënën e saj, duke i komunikuar produksionit vendimin e saj.

Disa e mbështetën babanë e Heidit dhe vendimin e saj për t’u larguar nga ‘reality show’, ndërsa disa të tjerë e mbështetën marrëdhënien e saj me aktorin, duke kritikuar largimin e saj nga shtëpia.

Ndërkohë, në klipin prezantues për Big Brother Vip Albania, Heidi deklaroi se është single, dhe e hapur për një lidhje të re.