Gjetja e punonjësve është kthyer në një mision të vështirë për sipërmarrjet vendase. Bizneset në të gjithë sektorët po vuajnë nga një krizë e thellë e mungesës së punonjësve të kualifikuar.

Kjo vjen nga disa faktorë kryesorë që kanë bërë që kërkesa dhe oferta në tregun e punës të mos përputhen në mënyrë të përsosur.

Mungesa e trajnimit dhe edukimit të përshtatshëm, veçanërisht në fusha si teknologjia dhe inovacioni, mikpritja dhe turizmi ka bërë që shumë kompani e biznese të kenë nevojë për fuqi punëtore me aftësi specifike, por të kualifikuarit janë shumë pak.

Për të adresuar këtë sfidë, Expo City Albania, në bashkëpunim me Albanian Skills-National Association for Skills Competitions, do të zhvillojnë për herë të pare Festivalin e Aftësive, Karrierës dhe Punës Expo 2023, që do të mbahet në datat 13-15 dhjetor.

Gjatë këtij eventi, punë kërkuesit do të kenë mundësinë të takohen me përfaqësues të kompanive dhe të përfitojnë nga një sërë shërbimesh, përfshirë përgatitje CV-je, intervista të shpejta, këshillimi për punësim ose menaxhimi i burimeve njerëzore, trajnime mbi aftësitë jetësore, si dhe informacion mbi ofertat e trajnimeve të ndryshme. Mbi të gjitha, do të jenë në dispozicion informacione lidhur me vendet e lira të punës, panele tematike me ekspertë vendas dhe të huaj.

Përgjatë tri ditëve të festivalit, do të mundësohet një shkëmbim i madh informacioni midis punëkërkuesve dhe punëdhënësve potencialë, duke krijuar një vend unik për kërkimin dhe rekrutimin e punës. Festivali gjithashtu do të theksojë se investimi në aftësitë e duhura është çelësi për rritjen e ekonomisë.

Gjatë ditëve të festivalit, në qendër janë konkurset e aftësive për të rinjtë nga 16-25 vjeç.

Konkursi do të zhvillohet për tre ditë, me mbi 150 konkurrentë në 12 kategori të fokusuara në këto fusha: teknologji informacioni, hoteleri-turizëm, shërbimet parukeri & berberi, dhe sipërmarrje e zhvillim biznesi.

“Konkursi është një frymë, një proces që krijon themelin e një shoqërie bazuar në meritë dhe një shoqëri që funksionon në bazë të një konkurrence dhe ekonomie të lirë tregu”, shprehet -shprehet Ana Zacharian nga Albanian Skills.

Rregullisht në përfundim të çdo edicioni ekipi i AS, analizon dhe shpërndan detyrat për edicionin e ri. Kjo është një punë e përkushtuar njëvjeçare, pasi në çdo edicion për secilën kategori organizohen ekipet përkatëse (konkurrentë, vullnetarë, juri) dhe në ambientet e paracaktuara gjatë 3 ditëve konkurrentëve iu jepen nga juritë e tyre detyra konkrete që duhet të zhvillojnë dhe përfundojnë gjatë ditëve të konkursit.

“Të gjithë të rinjtë fitues të këtij edicioni do të vlerësohen me praktika profesionale dhe vizita studimore e gara ndërkombëtare në vende të Europës, ku Albanian Skills prej 2015-s, që ishte edicioni i parë, ka krijuar binjakëzime sektoriale bashkëpunimi”, thotë znj. Zacharian.

Viti Europian i aftësive

Periudha 9/5/ 2023 deri më 9/5/2024 është shpallur nga Komisioni Europian “Viti Europian i Aftësive”. Ky vit i dedikohet të gjitha aktiviteteve dhe eventeve që kanë në fokus Aftësitë Profesionale të të gjithë europianëve, duke përfshirë të rriturit dhe të rinjtë. “Për të përhapur këtë frymë edhe në Shqipëri, së bashku me EXPO CITY, po sjellim një format të ri, të quajtur “Festivali i Aftësive, Karrierës dhe Punës” pasi të treja këto aspekte të zhvillimit personal dhe profesional nuk mund të ndahen nga njëra tjetra”, -shprehet znj. Zacharian nga Albanian Skills.

2023-shi shënon Edicionin e 8të radhazi të Konkurseve Kombëtare të Aftësive organizuar nga Albanian Skills (Shoqata Kombëtare për Konkurset e Aftësive). Ky edicion krijon mundësinë që të bëhen bashkë të gjithë aktorët që punojnë dhe kontribuojnë në aftësimin e fuqisë punëtore në Shqipëri, duke ndihmuar në zhvillimin e karrierës dhe punësimit, përfshirë në këtë si fëmijët dhe të rriturit.

Znj. Zacharian vëren se edhe pse evente të tilla janë shumë të domosdoshme për tregun në Shqipëri, bashkëpunimi midis aktorëve kryesorë si institucionet shtetërore, donatorë, organizatat jofitimprurëse dhe sektori privat nuk i përgjigjet këtyre nevojave.

Edhe pse ka pasur mbështetje sporadike të institucioneve në vite, gjithsesi, këto kanë qenë momentale dhe nuk kanë qenë të konsoliduara. Kjo ndodh sepse, së pari, mbase nuk kanë qenë në prioritetet e institucioneve, por nga ana tjetër, ka përzgjedhje selektive në mënyrën se si bashkëpunohet me organizata dhe nisma.”

Ndonëse problematikat janë të mëdha, zgjidhjet për to vijnë nga shoqëria dhe sektori privat. “Prandaj, festivali i Aftësive, Karrierës dhe Punës Expo 2023 është një mundësi e mirë për të gjithë aktorët e përfshirë, sepse ofron një forcë punëtore me aftësi e mjeshtëri profesionale të kërkuara nga tregu i punës”, thotë Znj. Zacharian. “Ky kontribut ndihmon në rritjen e qëndrueshme të vendit, duke sjellë më shumë inovacion dhe duke përmirësuar konkurrencën mes kompanive”. /MONITOR