Ka nisur sot konkursi për gradën “drejtues i parë” në Akademinë e Policisë. Ashtu siç ishte përcaktuar më herët konkursi nisi në orën 08:00, ndërsa pjesë e tij u bënë 28 policë.
“BalkanWeb” raporton se këta të fundit kanë më shumë se 3 vite që mbajnë gradën “drejtues”. Ndërkohë, bëhet e ditur se nga konkursi, që do të kalojë në 2 faza, do të përzgjidhen vetëm 5 kandidatë.
Faza e parë është ajo me shkrim, (testi me shkrim ka 100 pyetje) ku përgjigjet do të korrigjohen me skadron dhe faza e dytë është ajo me gojë, ku policët do t’i nënshtrohen një pyetësori. Mësohet se fituesit duhet të kenë mbi 70 pikë që të hyjnë në testin me gojë. Ndërkohë, kryetar komisioni është Bilbim Mema.
KUSH MERR PJESË NË KONKURS
‘BalkanWeb’ ka zbardhur emrat e drejtuesve që garojnë për këtë gradë. Kështu bëhet fjalë për Ardi Veliun, Drejtor i Policisë së Tiranës, Gentjan Shehaj, Drejtori i Policisë së Vlorës, Edmond Targaj, drejtor në Policisë në Dibrës dhe Albert Dervishin, drejtor i Rendit. Po ashtu në konkurs merr pjesë edhe Josif Shtwmbari, drejtor i Krimeve, Mitat Tola drejtor i policisë Rrugore, Albert Goxhaj, drejtori i Standardeve Profesionale si dhe gjithë zv/drejtorët e qarqeve dhe shefat e sektorëve në Drejtorinë e Përgjitshme të Policisë së Shtetit.





