Pas situatës kaotike që solli deklarata e drejtuesve të CEZ për ndërprerjen e energjisë elektrike nëpër ujësjellësat e vendit dhe veprimin konkret të punonjësve të kësaj kompanie që stakuan energjinë në 18 qytete kryesore të vendit deputeti socialist Edison Konomi kërkoi arrestimin e drejtuesve të kompanisë për përhapjen e panikut në popull. Sipas deputetit të qarkut të Durrësit, favorizimet e vazhdueshme të qeverisë ndaj CEZ shkaktuan situatën që përjetuan qindra mijëra qytetarë shqiptarë ditën e premte. Masa e ndërmarrë nga qeveria për kalimin e grantit të pushtetit vendor për llogari të kompanisë çeke nuk bëri gjë tjetër sipas tij, veçse e shtyu në kohë problematikën e theksuar të raporteve të tensionuara mes institucioneve shtetërore dhe kompanisë së shpërndarjes së energjisë.
Kompania çeke CEZ ndërpreu energjinë për ujësjellësat, duke shkaktuar reagime të shumta tek qytetarët. Si e vlerësoni ju veprimin e CEZ?
Në rradhë të parë doja të theksoja diçka. Partia Socialiste ka vite që denoncon aferat e CEZ, duke filluar që nga detyrimet kontraktuale që ka kompania çeke ndaj shtetit shqiptar, të cilat kanë të bëjnë me investimet në rrjet, uljen e humbjeve në rrjet etj., gjëra që nuk janë respektuar. Nëse CEZ e ka marrë me rreth 35% humbje në rrjet ndërmarrjen, në kohën e privatizimit të saj, tani humbjet kanë arritur në shifrat rreth 45%. Ndërkohë po t’i referohemi investimeve që duhet të realizonte kompania në këto vite, nuk gjejmë të tillë.
Rasti më flagrant është ai i pak kohëve më parë, kur CEZ me një arrogancë të pashembullt refuzoi të blinte energji elektrike nga jashtë, megjithëse në bazë të kontratës është e detyruar ta bëjë këtë gjë, duke detyruar qeverinë shqiptare që të rriste garancinë kundrejt palëve të treta për të krijuar mundësinë e marrjes kredi nga bankat për të blerë energjinë elektrike. Pra CEZ nuk i përmbahet kontratës që ka firmosur me shtetin shqiptar.
Kur parlamenti miratoi aktin normativ, që kaloi grantin qeveritar për llogari të CEZ për likujdimin e borxheve që ndërmarrjet e ujësjellësit i kanë kompanisë çeke unë kam deklaruar në Kuvend se kjo nuk e zgjidh problematikën mes Ujësjellësit dhe CEZ, por vetëm e shtyn në kohë. Përveç kësaj ky akt normativ krijoi dy efekte negative; godet bashkinë pasi i ul asaj mundësinë për të bërë investimet e fundvitit, për të paguar rrogat, dhe nga ana tjetër thjesht e shtyn problematikën e CEZ.
Situata e datës së sotme (16 nëntor) e tregon më së miri këtë gjë. CEZ mori nga qeveria rreth 12 milion euro dhe pas rreth 4 javësh ndërmori veprimin ekstrem, ndërpreu energjinë nëpër ujësjellësa. Duke u ndalur edhe tek deklarata e drejtuesve të CEZ para mediave është e pa konceptueshme që të bëhen deklarata të tilla që përhapin panik në popull.
Ata zotërinj duhet ta kenë të qartë se përhapja e panikut ndëshkohet me ligj. Partia Socialiste ka paralajmëruar disa herë se do të ndodhemi përballë një situatë të tillë si kjo e këtyre ditëve. Këta zotërinj duhet të gëzojnë një mbështetje të fortë shtetërore përderisa arrijnë të ndërmarrin veprime të tilla.
Ju thoni se qeveria mbështet CEZ-in, por nga ana tjetër është i njohur fakti se ekzekutivi dhe instancat e tjera shtetërore po mendojnë heqjen e liçencës për kompaninë çeke?
Kjo është e vërtetë, por të mos harrojmë që kemi arritur në një pikë kur shteti nuk ka më se çfarë të negociojë me CEZ. Shteti i ka bërë një sërë favoresh kësaj korporate, si p.sh. uljen e çmimit të energjisë elektrike nga KESH tek CEZ. Ulja e çmimit ka ndikuar drejtpërdrejt në financat e KESH.
Nuk e di çfarë i ka mbetur më qeverisë për të bërë, veçse të fusë duart në xhepat e qytetarëve për t’i dhënë lekët CEZ-it. Pas favoreve të shumta edhe qeveria e ka kuptuar se kjo situatë është e panegociueshme dhe po përpiqet të ndërmarrë masa kundrejt kompanisë. Gjithsesi shteti ka pasur mundësi kohë më parë t’i kundërshtonte politikat e ndjekura nga kompania çeke
Nga ana tjetër CEZ nuk respekton kontratën e shitjes për shpërndarjen, merr 12 milion euro nga granti qeveritar dhe më pas kërcënon ujësjellësat me ndërprerjen e energjisë. Nuk e di çfarë i ka mbetur më qeverisë për të bërë, veçse të fusë duart në xhepat e qytetarëve për t’i dhënë lekët CEZ-it. Pas favoreve të shumta edhe qeveria e ka kuptuar se kjo situatë është e panegociueshme dhe po përpiqet të ndërmarrë masa kundrejt kompanisë. Gjithsesi shteti ka pasur mundësi kohë më parë t’i kundërshtonte politikat e ndjekura nga kompania çeke.
PS ka denoncuar gjatë gjithë këtyre javëve të fundit aferat korruptive të CEZ. Ndërsa po flitet për heqjen e liçensës për këtë kompani a mendoni se largimi i CEZ do ta zgjidhte situatën?
Përgjigja për këtë pyetje nuk është aq e thjeshtë. Vërtet ndodhemi para një situate kritike. Gjithsesi largimi i CEZ nga Shqipëria është një veprim që duhet vlerësuar, por mendoj se ky veprim ka marrë udhë tani. CEZ ka menaxhuar në mënyrë të tmerrshme këtë të mirë të përbashkët të qytetarëve shqiptarë. CEZ duhet të marrë njëherë përsipër përgjegjësitë, pastaj të mendojë ikjen nga vendi ynë. Të mos harrojmë diçka. Gjithë këto vite, faturimi i CEZ ka qenë në nivele shumë të larta. Nevojitet një verifikim i të gjithë aktivitetit të CEZ-it përgjatë këtyre viteve, kompania të mbajë përgjegjësi për ato që kanë ndodhur, dëmin që i ka shkaktuar shtetit shqiptar dhe pastaj institucionet të vendosin penalitetet ndaj CEZ.
Të ndalemi në një çështje të nxehtë të politikës shqiptare, miratimi në kuvend i tre ligjeve që kërkojnë 3/5 dhe që janë kusht për integrimin e vendit. A do t’i votojë PS këto ligje?
Integrimi nuk është peng i vetëm këtyre tre ligjeve. Këto tre ligj janë pjesë e detyrave që duhet të bëjë qeveria për t’u integruar. Ne sot flasim për ligjin e Gjykatës Kushtetuese, flasim për të hyrë në Europë, por si mund të hyjmë në Europë, kur në Shqipëri nuk funksionon ligji i gjykatave. Ne e lidhim me të drejtë këtë votim me qarkun e Fierit, pasi janë 300 mijë votues që po banalizohen prej një teke të kryeministrit, kur kemi vendime të të gjitha niveleve të gjykatave. Dhe pastaj kryeministri vjen e i bën moral opozitës se po bllokon ligjet. Ne nuk po bllokojmë ligjet. Komisionet parlamentare thuajse kanë rënë dakort për ligjet. Mund të kenë mbetur vetëm dy apo tre pika ligjore për t’u diskutuar ende. Ne duam që ligjet të zbatohen, sepse kjo është më e rëndësishme.
Pse e lidh PS votimin e këtyre ligjeve me mandatin e qarkut të Fierit, kur në të vërtetë janë dy çështje që nuk kanë lidhje me njëra tjetrën?
Në pamje të parë nuk ka një lidhje direkte, por në të vërtetë, ndryshimet në Gjykatën Kushtetuese kanë lidhje direkte me qarkun e Fierit. Nëse nuk zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese çfarë ndryshimi kërkon mazhoranca kur nuk i zbaton ligjet? Dhe këtu bëhet fjalë për dhjetëra e qindra vendime gjykatash që nuk zbatohen. Kryeministri akuzon opozitën kur është ai që uzurpon Qarkun e Fierit. Gjithsesi unë jam optimist se do të gjendet një rrugëzgjidhje që këto ligje të miratohen.
ERE nis procedurat për heqjen e liçensës për CEZ
Me katër vota pro dhe një kundër komisionerët e Entit Rregullator të Energjisë, votuan për nisjen e proçedurave për heqjen e liçensës së kompanisë CEZ. Drejtuesit e ERE-s nënvizuan se kompania në fjalë ka kryer një mori shkeljesh të rënda të kushteve të liçencës pavarësisht se më parë ERE ka aplikuar masën e gjobës. Ndër shkeljet më të rënda të CEZ u renditën mos importimi i energjisë për periudhën shtator-tetor, mos kryerja rregullit e pagesave ndaj OST-së etj. Nisja e proçedurës së heqjes së liçencës nënkupton se brenda një muaji kompania CEZ duhet të plotësojë 4 kushte: rifillimin e importit të energjisë elektrike; dorëzimin e bilancit financiar të audituar për vitin 2011; mos kryerjen e ndërprerjeve kolektive të energjisë elektrike; normalizimin e bilanceve financiare.
KESH: CEZ çoroditi rrjetin
Veprimet e CEZ ngjallën reagimin edhe të KESH-it. Kompania publike e prodhimit te energjisë deklaroi se, që nga momenti që CEZ hyri si operator i rrjetit të shpërndarjes ka krijuar problematikë në operimin dhe funksionimin e KESH, duke mos përmbushur detyrimin e importit për mbulimin e humbjeve në shpërndarje. KESH tha se CEZ është shkaktari kryesor i gjendjes së rëndë të krijuar në menaxhimin e rezervës hidrike, duke cënuar sigurinë e furnizimit me energji për qytetarët. Sipas KESH, borxhi energjitik që CEZ ka ndaj KESH është aktualisht 1 mijë e 458 gigavat, sa gjithë rezerva energjitike që akumulon kaskada e lumit Drin. Po kështu, sipas KESH, CEZ nuk ka paguar as faturat e energjisë elektrike, të cilat së bashku me detyrimet e tjera kanë arritur mbi 208 milionë euro.
Gjykata: Jo, ndërprerjeve të energjisë nga CEZ
Ndalet shkëputja e energjisë ndaj institucioneve dhe shërbimeve deri në gjetjen e një marrëveshje. Ministria e Ekonomise ka bërë të ditur se gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi të pranojë kërkesën e Avokaturës së Shtetit, duke ndalur shkëputjen e energjisë elektrike ndaj çdo autoriteti publik, institucioneve dhe shërbimeve deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare dhe ligjore të mosmarrëveshjeve mes palëve përmes zgjidhjes miqësore apo arbitrazhit sipas rregullave të DHNT. Sipas Ministrisë, pas këtij vendimi, në çdo rast që “CEZ Shpërndarje” do të shkelë vendimin e gjykatës, do të penalizohet me një shumë 100 milionë lekë për çdo orë ndërprerje të energjisë. Ministria thotë se kundër këtij vendimi lejohet ankimim në Gjykatën e Apelit Tiranë, brenda pesë ditëve nga dita e zbardhjes së vendimit.