Prof. Asoc. Dr. Myslim Pashaj, njeriu që rrëzoi paktin detar me Greqinë ka reaguar në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dyrrah” në lidhje me deklaratës e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, për marrëveshjen detare midis Shqipërisë dhe Greqisë. Sipas Prof. Asoc. Dr. Myslim Pashaj, politikani Vangjel Dule po hyn në një hulli të rrezikshme, jashtë natyrës së tij diturore dhe intelektuale. Pashaj reagon edhe ndaj deklaratës së Dules në lidhje me çështjen çame, duke shtruar midis të tjerash pyetjen se si mund të flitet (nga Dule) për spekulim për çështjen çame kur ajo është drama e madhe dhe një plagë e rëndë jo vetëm e bashkësisë çame, por e tërë popullit shqiptar. “Ҫamëria nuk është një toponim i sajuar, por një rrënjë e lashtë e një krahine me tipare dhe veçori aq shqiptare, që gjithpërfshin një bashkësi toponimesh brenda kësaj rrënjë” thotë koloneli Pashaj.
Cili është komenti juaj në lidhje me deklaratat e kreut të PBDNJ-së në lidhje me Marrëveshjen Detare në mes të Shqipërisë dhe Greqisë, ku midis të tjerash flitet për një teori konspiracioni ?
Marrëveshja Detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, ishte një procedurë e së Drejtës Ndërkombëtare Detare, që të dy shtetet arritën në negociatat diplomatike midis të dy vendeve. Ajo është reale, në hapësirë dhe kohë, është e jetësuar nga një dokument shtetëror (i të dy qeverive) i firmosur në një ceremoni e cila qe në rendin më të lartë të përfaqësimit, ku bëhet fjalë për dy kryeministra, e bashkëshoqëruar edhe nga një spektakël rrezellitës, sidomos nga pala shqiptare. Dhe firmat ranë mbi gjeohapësira, koordinata dhe harta të dy fqinjëve. Pas buzëqeshjeve, duarshtrëngimeve, po të doni në arkivat e të dy vendeve, do të gjeni dokumentet përkatës të cilët janë lënë aty, në radhë, ose më mirë janë hedhur, me një mallkim që s’dihet se si erdhi. Aty mund t’i gjeni, aty mund t’i hulumtoni si një pjesë e historisë.
Atëherë kush vallë mund të thotë se këtu kemi të bëjmë me një “teori konspiracioni”, kur ajo është kaq e drejtpërdrejtë, e dukshme, e shfaqur në skenë dhe e duartrokitur. Si mund të jetë teori konspirative kur ajo, në gjithë dukjen e saj, nuk ngjan se përbën një komplot të thurur dikund, në fshehtësi, prej një grupi të panjohur, apo organizate të kësillojshme, kur produkti i saj siç u tha atypari u jetësua në një ndarje vijash e koordinatash që të përcjella në natyrë, krijonin një hartë të re të ndarjes së detit midis të dy vendeve. Opinioni publik u njoh me të në një mënyrë dramatike.
Zoti Vangjel Dule merr përsipër të shtjellojë dhe të shqyrtojë fijet e “një teorie konspiracioni” të sajuar nga jashtë, në dëm të të dy shteteve, Greqisë dhe Shqipërisë. Ai ka mënyrën e tij të zbulimit dhe të shqyrtimit, e po kaq apologjinë që iu a bënë të dy qeverive, që siç dihet e kanë anatemuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Dule e di tashmë se palën e qeverisë shqiptare e ka me vete, (pra në tavën greke), edhe pse ajo me fjalë e ka pranuar rrëzimin dhe mosqenien e Paktit. Kurse më veprat që duken, siç është mosreagimi ndaj veprës së negociatorëve shqiptarë, po edhe të disa deklaratave që dihen ajo (qeveria) rrëfen më shumë se kaq. Ndërkohë pala greke ka një heshtje teknike dhe ligjore ndaj përmbysjes së Kushtetueses, por ama ngre fantazmat e nacionalizmit shqiptar që, sipas grekëve, kanë sjellë këtë situatë!
Si e shpjegoni faktin që z Dule insiston në këtë teori konspiracioni të servirur nga vende të tjera në dëm të dy shteteve (Shqipërisë dhe Greqisë)?
A e vëreni pozicionin e Z Dule? Bukurisht, duket se pozicionohet në qendër, tërheqës në sajesën e teorisë së konspiracionit, mjegullon të vërtetën shkencore dhe po kaq ligjore shqiptare dhe në kufijtë tokësorë ende të pa firmosur dhe përcaktuar detarë krijon ngrehinën e tij “konspirative” antishqiptare, që e lartëson atë në sy të bashkëkombësve të tij, por edhe sjell argument për apologjinë që i bëhet veprës më famëkeqe të një qeverie që krijon “çifligje të rinj ” në detin gjeohistorik të iliroshqiptarëve duke cenuar në shekullin e XXI dinjitetin kombëtar.
Por Dule është shumë më “kreativ” se këta të qeverisë. Pse, do të thoni ju? Ai bën një shërbim të ri, duke sjellë teorinë konspirative, të cilën askush s’e ka kujtuar deri tash, duke e prekur, rrëmuar dhe hulumtuar, tej situatave reale që thamë më sipër, e duke gërmuar, ndër hulli të padukshme por që hamendohet se mund të kenë ndodhur.
A mos, është vallë kjo, një bumerang për vetë “teoricienin” i cili s’arriti gjë tjetër, veçse të na kujtojë edhe një rrjedhë të fshehtë që mund të jetë ajo “konspirative” se si “mund të jenë ndërtuar projektet e përfshirjes së paparë të detit shqiptar brenda kufijve grekë, ndër takime dhe dijeni fijesh të tjera të padukshme”, që çuan në realizimin e kësaj vepre.
Se dikush e ka shprehur, që s’ka se si të shpjegohet ndryshe sjellja qeveritare e atyre që e ndërtuan këtë projekt antishqiptar, por përkundër: miklimi, gradimi, përkujdesja kolltukëse ishte një dhuratë. Tamam sikur të kemi një bashkëveprim dhe miratim të brendshëm të jetësimit të kësaj vepre.
Do të ishte shumë e pranueshme nga të gjithë që Vagjel Dule të futej ndër terma juridikë, diplomatikë dhe teknikë, për të kontribuar si intelektual, çka s’e kanë bërë deri tash grekët e mirëfilltë në asnjë revistë teknike helene apo ato së të Drejtës Ndërkombëtare Detare. Prandaj pozicionimi i tij është shumë grotesk, edhe pse siç thamë, e nxjerr të paktën një vlerë, që s’është thënë kund, gjasat për një fshehtësi tinzare te një grupi të përbashkët, që torri dhe endi atë ndarje detare famëkeqe
Ja se sa dëm i ka shkaktuar Dule krahut shqiptar, sepse në një farë mënyre ka cytur dhe stimuluar një nevojë hulumtimi për këtë rrugë të fshehtë e cila mund të jetë pjesë e teorive të konsipracionit të cilat funksionojnë që nga Mesjeta e këndej!!! Po ç’na thotë vallë diagrama e qeverisë greke!? Shumë interesante, do të thoshim. Deri tash nuk është thënë asnjë argument teknik (se nuk ka se ç’mund të thuhet!) pasi vetë ata (pjesa teknike dhe profesionale e negocimeve) këtë e di: përzgjedhja mjeshtërore e Metodës së Barazlargësisë së përdorur, e ofruar prej tyre, e qep dhe e përgatit për kompas dhe matje, pranimin e projektit, nga pala shqiptare. Sapo është pranuar, dhe pikërisht kjo ishte pelerinë e munguar që do të hidhej sipër për teorinë konspirative të z. Dule. Pala greke nuk ka ç’të bëzajë, veç “nacionalizmave”. Kurse Dule në vend të vejë vetulla po i nxjerr sytë Paktit të gremisur ( epse ai Pakt, i ka sytë edhe pse të shtrëmbër…). Apo duhet që Pakti të sillet aty sipër në të njëjtën tavolinë, të pranuar nga të dy palët !? Një ëndërr e rrezikshme, natyrisht. Jo më kot dhe me pak fjalë, Greqia e ka përsëritur, “Paktin e kemi të firmosur! Ejani të ratifikojmë në Athinë!” Kaq bukur dhe kaq dinjitoze, mbasi galerinë e nëndheshme i është lënë, ta bëjë qeveria shqiptare. Ajo ta gjeje rrugën se ku duhet të dalë!
Si e vlerësoni faktin që Dule e ka cilësuar Gjykatën Kushtetuese si “pseudonacionaliste”?
Politikani Vangjel Dule po hyn në një hulli të rrezikshme, jashtë natyrës së tij diturore dhe intelektuale. Ai për herë të parë po etiketon Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë si “pseudonacionaliste” duke i bërë një shërbim të keq qeverisë së sotme shqiptare, ku dy ndër figurat e saj të epërme: Berisha dhe Meta (tanimë i rënë) kanë përdorur, afërsisht, të njëjtat terma etiketimi. Nuk do të duhej shumë, por vetëm se të lexohej me vëmendje vendimi i Gjykatës Kushtetuese, argumentet e së cilës s’mund të lidhen dot me “pseudonacionalizmin” por aty shtrohen aq bindshëm: përzgjedhja e metodës së barazlargësisë, rrethanat krejt të ndryshme të të dy shteteve, nevojën e përdorimit të Metodës së Zgjidhjes së Barabartë dhe të Ndershme sipas Konvetës së Motego Bay-it, me nene të cituar dhe më përvoja ndërkombëtare të kësaj fushe.
Vagjel Dule këndej duket se i bën një shërbim qeverisë dhe nga ana tjetër e vë me shpatulla për muri që “…para botës të japë përgjigje të qarta…” sikur ta ketë vënë në bankën e të akuzuarve, për t’i treguar… “të mbajë fjalën e dhënë…”
Do të ishte shumë e pranueshme nga të gjithë që Vagjel Dule të futej ndër terma juridikë, diplomatikë dhe teknikë, për të kontribuar si intelektual, çka s’e kanë bërë deri tash grekët e mirëfilltë në asnjë revistë teknike helene apo ato së të Drejtës Ndërkombëtare Detare. Prandaj pozicionimi i tij është shumë grotesk, edhe pse siç thamë, e nxjerr të paktën një vlerë, që s’është thënë kund, gjasat për një fshehtësi tinzare te një grupi të përbashkët, që torri dhe endi atë ndarje detare famëkeqe.
Si mund të flitet për spekulim për çështjen çame kur ajo është drama e madhe dhe një plagë e rëndë jo vetëm e bashkësisë çame por e tërë popullit shqiptar. Është një plagë që vijon të rrjedhë, prej plojës historike, të një përzënieje dhe masakre që s’harrohet, e cila vijon të jehojë në të dy krahët e kufirit të pakufij. Vagjel Dule merr edhe këtu rolin e historianit, për të na kujtuar se nuk ka pasur asnjë krahinë me emrin Çamëri. E thotë, ashtu lirshëm, që poshtë toponimit të cilin ai nuk e pranon, rron një tokë e rrënuar dhe e grabitur e përgjakur, rron një kulturë dhe pasuri e mbetur jetime rron një “gluhë” e të shndërruarve që s’guxojnë të flasin, është një kujtesë historike që s’mund të shuhet
Zoti Dule thellohet edhe më tej në shpimet e tij detare edhe pse janë aq të panjohura për të. Ai rrëfen teknologjitë dhe harron të kujtojë se kurrkund nuk është folur për to, sepse as nuk anashkalohen dhe as nuk mbivlerësohen, në një gjeohapësirë detare, ku ka patur rëndësi themeli juridik ndarës sipas së Drejtës Detare Ndërkombëtare, i lënë mënjanë nga palët, me qëllim djallëzor. Sikur ta kishin porositur, i vjen në ndihmë palës greke po dhe asaj shqiptare (por këtë tonën e diskrediton turpshëm)
Në ç’këndvështrim e shikoni raportin e Vangjel Dules përsa i përket qeverisë dhe Gjykatës Kushtetuese?
Dule ndjehet mirë në pozicionimin e tij dhe goditjen që jep. Mund ta kuptoni se me gurin e tij ka goditur të dy pjesët e shtetit që janë të mëvetësishme, qeverinë dhe sistemin gjyqësor, për t’u thënë se në “ç’derexhe kini arrirë…” dhe kuptohet se kush duartroket në këtë mjedis: vetëm klanet antishqiptare. Thirrja e Dules është e njëjtë: Ejani në Athinë të ratifikoni marrëveshjen!
Po sharra ka ngecur në gozhdë. Diplomacia po ecën sipas filozofisë: “ Tërhiq, por mos e këput!”
Në deklaratat e tij Dule ka folur dhe për spekulime dhe mosnjohje të çështjes çame. Cili është komenti juaj?
Si mund të flitet për spekulim për çështjen çame kur ajo është drama e madhe dhe një plagë e rëndë jo vetëm e bashkësisë çame por e tërë popullit shqiptar. Është një plagë që vijon të rrjedhë, prej plojës historike, të një përzënieje dhe masakre që s’harrohet, e cila vijon të jehojë në të dy krahët e kufirit të pakufij. Vagjel Dule merr edhe këtu rolin e historianit, për të na kujtuar se nuk ka pasur asnjë krahinë me emrin Çamëri. E thotë, ashtu lirshëm, që poshtë toponimit të cilin ai nuk e pranon, rron një tokë e rrënuar dhe e grabitur e përgjakur, rron një kulturë dhe pasuri e mbetur jetime rron një “gluhë” e të shndërruarve që s’guxojnë të flasin, është një kujtesë historike që s’mund të shuhet. Çamëria nuk është një toponim i sajuar, por një rrënjë e lashtë e një krahine me tipare dhe veçori aq shqiptare, që gjithpërfshin një bashkësi toponimesh brenda kësaj rrënjë. Thiamis=Ҫamëri