6 korrik 2015 – Konsultimi i gjerë publik dhe tërheqja e opinioneve rreth strategjisë së reformës në drejtësi ishte temë e diskutimit në forumin rajonal te radhës, këtë herë organizuar në kampusin e universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku merrnin pjesë përfaqësues të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, ekspertë të nivelit të lartë pranë këtij komisioni, ekspertë të projektit ‘Euralius’ në Shqipëri, prokurorë, gjyqtarë, avokatë, pedagogë si dhe perfaqësues te OJF-ve në Durrës. 

Gjithashtu, i pranishëm në këtë takim ishte dhe ambasadori i SHBA-së Donald Lu, i cili në fjalën e tij përshëndetëse, ndër të tjera theksoi domosdoshmërinë e një reforme të thellë në sistemin tonë të drejtësisë.

Gjatë këtij takimi u prezantuan aspektet kryesore të dokumentit analitik të reformës në drejtësi duke u fokusuar në dy drejtime kryesore, konkretisht në “Drejtësinë Penale” dhe “Masat Antikorrupsion në Shqipëri”.

Në thelb të diskutimeve të shumta ishin vështirësitë dhe problemet e hasura në sistemin e drejtësise penale, që vuan nga korrupsioni, mungesa e profesionalizmit dhe eficensës, i cilësuar si një sistem i centralizuar ku mungon pavarësia e plotë.

Strukturat aktuale të sistemit të drejtësisë penale bien ndesh me standardet e drejtësisë europiane të kërkuara. Të tilla konsultime të hapura publike për tërheqjen e mendimeve dhe opinioneve të ekspertëve të drejtësisë, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen në funksion të kryerjes së një refome të thellë dhe efikase.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/