- Konsumuesit më të mëdhenj të kafesë janë ata që kanë punë më stresuese
2 shkurt 2015 – Sipas një studimi të publikuar së fundi nga e përditshmja britanike “The Guardian”, njerëzit që konsumojnë më shumë kafe në ditë janë gazetarët. Duket që kafja luan një rol të rëndësishëm në ditët tona për të gjitha profesionet. Megjithatë, sipas anketës, 85 për qind e të anketuarve thanë se pinë të paktën tri filxhanë kafe në ditë, ndërsa 70 për qind prej tyre pohuan se kapaciteti i tyre në punë është i reduktuar pa një dozë të rregullt të kafesë.
“Duket se konsumimi i kafesë është bërë i domosdoshëm për njerëzit në shumë profesione. Konsumuesit më të mëdhenj të kafesë, që pinë më shumë se katër filxhanë kafe në ditë, janë ata që kanë punë stresuese. Më së shumti janë gazetarët, pastaj vijnë policët dhe mësuesit e shkollave”,- thuhet në raportin e studimit.
Hulumtimi i kryer nga shtëpia mediatike “Pressat”, thekson se profesionistët e anketuar nuk kanë njohuri për efektet e dëmshme të kafesë. 62 për qind e tyre thanë se nuk i dinë rreziqet shëndetësore që sjell konsumimi i tepruar i kafesë.
Megjithatë, ata që pinë shumë kafe duhet të mësojnë më shumë nga studimi i vitit të kaluar në Universitetin e Karolinës së Jugut, i cili tregoi se konsumimi i përditshëm i kafesë nuk duhet të kalojë 200 miligram ose dy gota të mëdha të kafesë.
Listën e konsumuesve më të mëdhenj të kafesë në mesin e profesioneve në Britaninë e Madhe e kryesojnë gazetarët dhe stafi i mediave, pastaj vijnë policët, mësuesit, shitësit, stafi mjekësor, menaxherët, punëtorët që shesin telefona, ekspertët e teknologjisë, e të tjerë.





