Interi nuk arriti të merrte më shumë se një pikë në transfertën e vështirë kundër Fiorentinës, duke u ndalur në barazim 1-1.

Goli i shënuar nga Vlahoviç në minutat e fundit, ka ndalur për të dytën herë radhazi Interin në barazim dhe tashmë problemet duket se janë shfaqur në kampin zikaltër pasi ka edhe probleme të shumta.

Në ndeshjen kundër Fiorentinës, shumë futbollistë janë ndëshkuar me kartonë të verdhë dhe duke shtuar edhe problemet me dëmtimet, Konte duhet të mendojë seriozisht tashmë për formacionin.

Plot 10 futbollistë mungojnë në ndeshjen e radhës kundër Xhenoas në kampionat, nga të cilët shumë prej tyre janë titullarë në skuadrën zikaltër.

Sançez, Sensi, Barela, Galiardini, Asamoah e Kandreva janë të dëmtuar teksa Bastoni, Lautaro, Valero e Brozoviç janë ndëshkuar me kartonë të verdhë duke plotësuar numrin e kartonëve.

Në stolin e Interit, nuk ka më alternativa dhe Kontes i duhet që të luajë vetëm me futbollistë të rinj në mesfushë dhe në sulm. Handanoviç, Skriniar, De Vrij, Godin, Vesino, Lukaku, Biragi dhe Politano janë të vetmit futbollistë të gatshëm për ndeshjen e radhës.