Me Antonio Konten do ndryshojë totalisht imazh “Appiano Gentile”. Në fakt, me zbarkimin e trajnerit të ri do të modifikohen shumë aspekte të botës interiste. Do ketë një rinovim radikal, një “skuadër” tërësisht e re. Duke nisur normalisht nga stafi, e jo vetëm. Me një përjashtim: përgatitësi i portierëve do mbetet Adriano Bonaiuti, “mjeshtri” i Samir Handanoviç, të cilin kapiteni e ka dashur gjithmonë përkrah gjatë sezoneve të fundit.Për të tjerat, vetëm risi.
Një start thuajse nga zero. Pjesa më e madhe e emrave janë zbuluar më parë. Ish-trajneri i Juventusit, Italisë dhe Çelsit do ndihmohet nga vëllai Xhanluka, asistentët Paolo Vanoli dhe Kristian Stelini, nga përgjegjësi i përgatitësve atletikë, Antonio Pintus dhe bashkëpunëtorët atletikë, Kostantino Korati dhe Hulio Tous. Ndryshime edhe mes fizioterapistëve të koordinuar nga kreu i strukturës mjekësore, që do mbetet doktor Piero Volpi. Por, nuk përfundojnë këtu: nëse të rejat lidhur me stafin ishin të pritshme me ndërrimin Spaleti-Konte, do ketë alternime më pak të parashikuara.
Parashikohet një tjetër drejtor dhe magazinierë të rinj në “Appiano”-s: largohet Sandro Maistrelo, afrohet Marko Skalvini, të cilit do t’i përkasë detyra e ndjekjes së punimeve që kanë nisur prej disa javësh në qendrën sportive. Pritet një strukturë e ngjashme me të një hoteli ku do krijohen 40 dhoma teke, një restorant, një sallë dreke dhe një sallë videosh. Eksperiencë te Juventusi, por edhe në kombëtare, e nutricionistit të ri Mateo Pinçela. Në fund, edhe një menaxher i ri: ikën pas tri sezonesh Fabio Pina, e zëvendëson Mateo Taljakarne (nga Napoli).
Pra, lojtarët, kur të shkelin në ndërtesën e re zikaltër, do të gjejnë më shumë se dhjetë personazhe të rinj, përfshi Gabriele Orialin (bashkë me grupin që në Lugano). Megjithëse nuk bëhet fjalë për një të panjohur, më tepër një rikthim që do shërbejë, ashtu siç deklaroi kohët e fundit edhe ish-presidenti historik Masimo Morati, për t’u shpjeguar konceptin e “interizmit” futbollistëve dhe gjithë profesionistëve që do punojnë për klubin në sezonin e ardhshëm 2019-’20.
Oriali, i cili do firmosë brenda pak ditësh kontratën e re deri në 2022- shin, do jetë një figurë thelbësore në “Appiano” dhe do garantojë praninë e përditshme të klubit përkrah skuadrës dhe trajnerit, që deri në maj e bënin me turne Marota dhe Auzilio. Në organikë do përfshihet nga 1 korriku edhe Luixhi Ekuba, aktualisht drejtuesi i Sporteve për Europën e Jugut në “Eurosport”: te zikaltrit do luajë rolin e drejtuesit të medias, poshtë Luka Danovaros, shefit të Marketingut.





