Antonio Konte po ndjen të afrohet një sukses i jashtëzakonshëm që do ta vendosë në historinë e klubit të Interit. Pakkush e mendonte të mundshme fitoren e titullit kampion përballë Juventusit apo edhe Milanit pas pjesës së parë të sezonit që bënë kuqezinjtë, por tashmë gjithçka mund të bëhet realitet që këtë javë.

Ndaj ai pas ndeshjes me të drejtë e cilësoi diçka të jashtëzakonshme atë që kishte bërë skuadra në këtë edicion dhe hodhi poshtë zërat se nuk ishte tifoz i zikaltërve prej të kaluarës së tij te Juventusi.

“Të gjithë e dimë që po mbërrin diçka e jashtëzakonshme, po arrijmë që të rrëzojmë një mbretëri që rezistonte prej 9 vitesh. Djemtë e meritojnë këtë kënaqësi.Kishte një proces rritje të dukshëm. Duhej bërë një rrugëtim që të fitohej dhe të cilësoheshim si fitues. Duhet  hequr dorë nga diçka për të bërë një kampionat kështu, sakrifica, dhe jo të gjithë ia dalin. Unë kam gjetur një grup që ka ecur në të njëjtin drejtim, kemi ndarë të njëjtën ëndërr. Do të hyjmë në historinë e Interit, nuk ka gjë tjetër për të thënë.

Më e vështirë fitorja me Juven apo me Interin? Janë dy situata të një vështirësie të jashtëzakonshme, si në njërën anë, si në tjetrën. Edhe Juventusi ishte në një periudhë problematike, nuk kishte një ide të qartë e vizion. Kam qenë me fat pasi kam gjetur një president-tifoz dhe ia dolëm që të bënim diçka të jashtëzakonshme. Dhe mundëm Milanin e emrave të mëdhenj, Interin e Triplete, ndërsa sot marr frytet e zgjedhjes time më të vështirë. Shumë do të ishin fshehur pas historisë, pas shumë gjërash. Kurse unë vendosa veten në diskutim.

Mbetem tifoz i të gjithë skuadrave që kam drejtuar, por jam tifozi i parë i skuadrës ngjyrat e të cilës mbroj sot. Nuk ishte e thjeshtë të hyja në zemrën e të gjithë tifozëve të Interit, por sigurisht e kuptova dhe do ta kuptoj. Kam dhënë gjithmonë gjithçka për këtë klub. Vendosa veten në diskutim në mënyrë të rëndësishme dhe kam brenda meje një kënaqësi të pamasë”, tha Konte në fund të sfidës të fituar me Krotonen që e çoi vetëm 1 pikë larg fitores së titullit.