DURRËS, 6 nëntor 2013 – Porti kroat i Rijeka-s i merr hisen atij të Durrësit me tarifa më të ulëta, mekanizma të rinj ngarkim-shkarkimi, rrjet hekurudhor të zhvilluar dhe me bashkëpronësi privat-shtet, një shkrim i së përmuajshmes prestigjioze britanike “Port strategy” i kushton një shkrim interesant rivalitetit të porteve të Adriatikut Verior në trafikun e kontejnerëve (http://www.portstrategy.com/
Teksti
Portet në Adriatikun verior synojnë të zgjerojnë rolin e tyre si porta për Ballkanin. Historikisht porti verior italian i Triestes ka luajtur rol si “portë” ngarkesash për Evropën qendrore, përfshirë Austrinë dhe Gjermaninë jugore. Megjithatë, pavarësisht kohës transite të konsiderueshme dhe kostos, kursimeve në një itinerar të tillë si ai midis Kinës dhe Gjermanisë, ky potencial nuk është realizuar plotësisht. E njëjta gjë mund të thuhet për Luka Koper-in, ndonëse biznesi këtij porti për mallra transite është rritur shumë të fuqishëm vitet e fundit, por ka një mbingarkesë në periudha të caktuara të vitit. Kapaciteti i zgjerimit të mëtejshëm është gjithashtu i kufizuar.
Luka Rijeka po bën investime të reja në mjete moderne ngarkim-shkarkimi dhe në të menduarit e integruar për çështje të transportit tokësor, përfshirë edhe krijimin e një sistemi efikas hekurudhor, dhe zgjatjen e prapatokës. Rijeka në Kroaci po planifikon të bëjë dhe më se 30 milionë euro investime, përveç atyre para dy viteve e gjysmë, kryesisht për të shtuar një mol (kalatë) të dytë në Terminalin e Kontejnerëve të Portës së Adriatikut [Adriatic Gate Container Terminal] (AGCT), që është çelësi për këtë qasje. Kjo ka të bëjë me një koncesion 25-vjeçar operativ për objektin dhënë kompanisë me seli në Manila “ICTSI – International Container Terminal Services Inc” në vitin 2011. ICTSI (51%) punon në një joint-venture me Autoritetin Portual të Luka Rijekë-s, dhe partnerët janë të përkushtuar të investojnë edhe 65 milionë euro gjatë 20 viteve të ardhshme. “Mund të jemi fëmijë i ri në qytet, por kemi plane shumë ambicioze për AGCT-në, gjë që do të jetë ndihmesë në zhvillimin e Rijekës si portë e re për Evropën Jugore dhe Qendrore”, thotë Phillip Marsham, shefi ekzekutiv i AGCT-së.
PAJISJET
Kalata e re 320 m, e cila ka thellësi deri në 14 m, dhe parku rezervë mbështetës u hap në korrik dhe shërbehet nga dy vinça-urë / “cjap” të rinj anije kontejnerësh-tokë (mund të shtrihet nëpër 18 radhë kontejnerësh) dhe gjashtë vinça-urë me rrota gome. Kjo mund të rrisë më tepër se dyfish kapacitetin e AGCT-së, në rreth 750.000 TEU në vit, por më e rëndësishmja lejon që terminali të përpunojë anijet e mëdha të kontejnerëve të ngarkuara plotpërplot për herë të parë. Tani thellësia përgjatë kalatës është vetëm 11.5 m. Punimet përfshijnë gjithashtu ndërtimin e një kompleksi të ri portash, që do të përmbushë plotësisht kërkesat e BE-së (Kroacia hyri në BE më 1 korrik 2013), si dhe zgjerimin e konsiderueshëm të rrjetit mbështetës hekurudhor të terminalit. Të dy projektet do të përfundojnë deri në fund të vitit 2013, kohë në të cilën rrjeti hekurudhor do të jetë në gjendje të përpunojë 360.000 TEU në vit. Z. Marsham thotë se nivelet e produktivitetit u përmirësuan në të gjitha frontet dhe në të ardhmen do të ketë rritje të rentabilitetit kur porta e re të bëhet plotësisht operacionale. Ai e konsideron këtë të rëndësishëm pasi futen shërbime të reja në terminal, duke u kursyer kështu para nisësve / pritësve të mallit dhe transportuesve oqeanikë, për arsye se ngarkesa dorëzohet më shpejtë dhe shkurtohet koha e lundrimit të anijeve.
Kapaciteti i zgjeruar hekurudhor është një nga elementët më të rëndësishëm të planit të portit për t’u shndërruar në portë hyrëse-dalëse jugore dhe qendrore evropiane dhe jo vetëm në një port kombëtar. Që nga nëntori i vitit 2012, kanë funksionuar shërbimet e rregullta tren për / nga Serbia dhe Hungaria; po ashtu janë zgjidhur problemet e furnizimit me energji në këtë itinerar [për / nga Serbia dhe Hungaria], si dhe janë disponibël shërbimet hekurudhor non-stop dhe të pandërprerë. Z. Marsham thotë: “Ne jemi shumë më afër Budapestit, Vjenës, Beogradit dhe Mynihut sesa Beneluksi dhe portet gjermane dhe se rruga më e shkurtër e detit nga Azia do të thotë një kursim kohe prej gjashtë ditësh lundrim në shumicën e rasteve”. Ndërsa ai parashikon se Kroacia do të mbetet tregu më i madh i Rijekës, Marsham-i mendon se pjesa e këtij vendi [Kroacisë në tregun e kontejnerëve] do të pësojë rënie nga mbi 50 për qind aktualisht në 32 për qind në vitin 2016. Nga ana tjetër, Serbia, Hungaria dhe Sllovakia do të marrin relativisht një rëndësi më të madhe [në këtë treg].
NË RRUGËN E DUHUR
Z. Marsham është gjithashtu i sigurt lidhur me zhvillimin afatgjatë të një korridori hekurudhor mallrash Adriatik-Baltik. Ai shpjegon: “Aksesi unik i ICTSI-së drejt deteve Baltik dhe Adriatik me terminalet detare të kontejnerëve në Rijeka dhe Gdynia do të ndihmojë Kroacinë të shndërrohet në një aktor kryesor në zhvillimin e korridorit. Rijeka është 2 000 milje detare më afër Baltikut nga Azia dhe Lindja e Mesme sesa lundrimi nëpërmjet Evropës veriore”. Z. Marsham thekson se AGCT-ja do të mbështesë plotësisht dhe të përkrahë liberalizimin e hekurudhave dhe programet e investimeve tw qeverisë kroate, si dhe projektin e partnerit të saj për të zhvilluar terminal të brendshëm [jashtë portit të Rijekës – “off-dock”] në Shkrljevo (Škrljevo). Ai mendon se skema të tilla ndihmojnë në gjenerimin e më shumë ngarkesave për terminalin.
Por AGCT-së i duhet të tërheqë më shumë transportues oqeanikë dhe /ose të inkurajojnë ata ekzistues për ngarkim /shkarkime më të shumta. Okupimi aktual i kalatave, për shembull, është vetëm 35 për qind. “Kemi një numër nismash që shpresojmë se do ta shndërrojnë në Rijekën në portin nr. 1 në rajonin e Adriatikut verior, ndërkaq edhe duke na përdorur për më shumë transbordime [kalim malli nga një anije në tjetrin] të ngarkesave të tyre”, thotë ai. “Jemi në pozicion të favorshëm në përpunimin e mallrave për portet italiane të Venecia-s, Ravena-s dhe Ankonës dhe portet lindore të Adriatikut, mes tyre të Splitit, Ploçes [Ploče], Tivarit dhe Durrësit”.
Me investimet e reja në port dhe me një rrjet efektiv hekurudhor në evoluim, me sa duket Rijeka është e vendosur të shfrytëzojë mundësitë e siguruara nga tregu ballkanik dhe më gjerë. Z. Marsham konkludon: “Me terminalin tonë të ri dhe pajisjet e ngarkim-shkarkimit, sheshin e zgjeruar të depozitimit, kapacitetin e rritur hekurudhor dhe me afërsinë me kufirin hungarez, plus pranimi i Kroacisë në BE, mund t’u ofrojmë linjave të transportit detar një përparësi të qartë si porti nr. 1 dhe klientëve të tyre kohë më të shpejta transiti në tregjet kryesore si Budapesti. Mund t’u kursejmë kompanive të transportit detar një ditë udhëtimi dhe si dhe t’u sigurojmë ulje të konsiderueshme kostosh”.
/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





