Dy administratorët e kompanisë së lojërave të fatit “Saturn Games”, janë në hetim pasi akuzohen për kontrabandë që i kanë shkaktuar dëm shtetit në vlerën e mbi 1 milion eurove.
Nga hetimet e prokurorisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, rezulton se dy administratorët Gjovalin Ndoj dhe Paulin Preçi, blinin makineri për lojëra elektronike në Gjermani dhe Slloveni dhe pranë autoriteteve doganore i deklaronin me shifra shumë herë të ulëta të blerjes, me qëllim shmangien e taksave.
Prokuroria e Tiranës njoftoi se ndaj dy të pandehurve, hetimi është kryer me masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë.
“Rezulton se Paulin Preçi, në cilësinë e përfaqësuesit të “Saturn Games”, në vitin 2011 ka realizuar 7 hyrje malli në degën doganore Tiranë, të cilat, nga hetimi, rezulton se janë të gjitha të shoqëruara me dokumente blerjeje të falsifikuara.
Po ashtu, rezulton se shtetasi Gjovalin Ndoj, në cilësinë e përfaqësuesit të “Saturn Games”, në vitin 2012, ka realizuar 10 hyrje malli në degën doganore Tiranë, të cilat, nga hetimi, rezulton se janë të gjitha të shoqëruara me dokumente blerjeje të falsifikuara”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria e Tiranës vlerëson se dëmi i shkaktuar shtetit shqiptar, nëpërmjet shmangies së detyrimeve doganore, është rreth 1 milion euro.





