DURRES—“Arrest me burg”, kjo ka qenë masa e sigurisë që ka dhënë gjykata e Durrësit për 31-vjecarin Gerti Mullai nga Pogradeci, administrator i një kompanie private. 31-vjeçari akuzohet për kontrabandë të mallrave që paguhet akcizë, pasi ai ishte shpallur në kërkim nga policia e qytetit bregdetar që në 28 dhjetor të vitit te shkuar, dy ditë pas bllokimit të një sasie të konsiderueshme kontrabandë cigaresh në zonën doganore të Durrësit. 

Pas gjashtë muajsh që qëndronte në terminalin e Kontenierëve dogana vuri në sekuestro sasinë prej 950 kg cigare, të cilat kishin mbërritur nga Singapori.

Kontenieri i mbushur me cigare mbërriti në portin e Durrësit për llogari kompanisë së Mullait, në Pogradec, por subjekti nuk kreu asnjë prej procedurave doganore për një kohë të gjatë.

Në 26 dhjetor sasia e cigareve me vlere 500 mijë euro u sekuestrua dhe kaloi për llogari të rezervave të shtetit.