Një 39-vjeçar me origjinë turke është arrestuar nga Policia në Tiranë pasi akuzohet për kontrabandë të sendeve me vlerë. Policia bën me dije se nga kontrolli fizik, 39-vjeçarit i janë gjetur 455 gramë flori dhe bizhuteri floriri, të cilat dyshohet se ishin kontrabanduar me qëllim shitjen në Shqipëri. 

Policia njofton se ka nisur procedimi penal edhe për një 58-vjeçar i cili dyshohet se bashkëpunonte me turkun për trë shitur mallrat në Shqipëri.

 Mallrat pa fatura blerjeje, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me 35 000 euro dhe 16 200 dollarë që iu gjetën 39-vjeçarit. Gjithashtu është sekuestruar automjeti dhe celulari i tij.

Njoftimi i Policisë

Kontrabandonte flori dhe bizhuteri floriri, për t’i shitur në Shqipëri, arrestohet në flagrancë shtetasi turk.

Këtij shtetasi i sekuestrohen rreth 455 gramë flori, si dhe 35 000 euro dhe 16 200 dollarë, të përfituar nga shitja e sendeve me vlerë.

Gjithashtu, identifikohet dhe procedohet penalisht shtetasi që shiste sendet me vlerë, për llogari të shtetasit turk.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të kontrabandimit të sendeve me vlerë, me qëllim shitjen në Shqipëri, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4 dhe me Prokurorinë e Tiranës, finalizoi operacionin “Gold”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi turk B. A., 39 vjeç, banues në Stamboll, dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi S. B., 58 vjeç, banues në Vlorë.

Nga kontrolli në automjetin që drejtonte shtetasi turk, në rrugën “5 maji”, u gjetën 455 gramë flori dhe bizhuteri floriri, të cilat dyshohet se ishin kontrabanduar me qëllim shitjen nga shtetasi S. B.. Mallrat pa fatura blerjeje, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me 35 000 euro dhe 16 200 dollarë që iu gjetën 39-vjeçarit, automjetin dhe celularin e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.