ZURICH– Zviceranët kanë zgjedhur që në Eurosong të vitit 2013 të përfaqësohen nga bendi "Heilsarmee" (Ushtria e Shpëtimit), në të cilën anëtari më i vjetër është kontrabasisti Emil Ramsauer, 94 vjeç.
Vota e publikut në garën "Die Grosse Entscheidungsshow" vendosën që për në Malmö të Suedisë, të udhëtojë bendi "Heilsarmee" me këngën e tyre "You and Me".
Bendi përbëhet nga dy femra dhe katër meshkuj, duke përfshirë edhe kontrabasistin 94-vjeçar, Emil Ramsauer. Ai do të jetë njëkohësisht edhe pjesëmarrësi më i vjetër në këtë garë evropiane për muzikë.
Kujtojmë se vitin e kaluar Rusia është prezantuar në Eurovisionin e mbajtur në Baku të Azerbajxhanit me një grup të përbërë nga gjashtë anëtare, përkatësisht gjashtë “Gjyshet e Buranovos” apo siç quheshin “Buranovskiye Babushki”, të cilat ishin paraprakisht fituese të festivalit kombëtar rus. Madje ‘Babushkat’ në finalen e vitit të kaluar u renditën në vendin e dytë, menjëherë pas fitueses së vitit të kaluar – këngëtares Loreen me këngën “Euphoria”.
Ndërsa Eurovisioni i vitit 2013 do të mbahet në Malmo të Suedisë për tre net rresht, përkatësisht më 14, 16 dhe 18 maj.