Nga data 15 tetor, lidhja e re me energjinë elektrike po ofrohet si shërbim vetëm online për kategorinë e klientëve që duan fuqi të instaluar deri në 20 kV.

Drejtori i departamentit të zhvillimit të aseteve, Xheni Kazaferi, tha për mediet se, “të gjitha aplikimet për lidhjet e reja të energjisë 0-20 kV, që përfshin kontrata familjare dhe biznese të vogla, do të kryhen vetëm online në websiten e OSHEE dhe në aplikacionin e OSHEE. Ky është një hap i rëndësishëm që ne po ndërmarrim drejt digjitalizimit dhe lehtësimit të procedurave për rreth 85% të konsumatorëve tanë”.

Ai shtoi se kjo formë e re aplikimi lehtëson dhe kursen kohën dhe se nuk do të jetë më e nevojshme të drejtohet në zyrat fizike.

“Rrit transparencën dhe ndjek në kohë reale procedurën. Abonenti mund të kontrollojë statusin e kërkesës së tij. Ftoj të gjithë abonentët të denoncojnë në kanalet tona çdo abuzim të punonjësve tanë ose të palëve të treta që ju ofrojnë zgjidhje jashtë procedurave,” deklaroi Kazaferi.

Në kuadër të digjitalizimit të shërbimit, OSHEE ka lehtësuar edhe procedurat që një abonent duhet të ndjekë kur kryen aplikimin.

“Dokumentet që janë hequr janë: Gen-plani i vendndodhjes, protokolli i tokëzimit dhe deklarata e instaluesit.

Një abonent që kërkon një lidhje të re energjie, një rritje të fuqisë së kërkuar, ose transferimin e kontratës ekzistuese ka nevojë vetëm për 4 dokumente, kërkesa për furnizimin me energji elektrike, vërtetim i identitetit, vërtetim i pronësisë së objektit, dhe vetëdeklarimi i abonentit në bashkëpunim me inxhinierin elektrik që ka kryer instalimet në objekt”, shtoi Kazaferi.

Klientët familjarë mund të aplikojnë lehtësisht përmes formularit të vetëdeklarimit, duke plotësuar fushat e kërkuara në aplikacion.