Kur kryeministri i vendit mori nismën e shtimit të orëve të fizkulturës në shkolla (në parim, nisëm shumë pozitive), duhet të ishin ndërtuar të paktën palestrat, se ndryshe orët e fizkulturës, nga 2 në 3, do të ktheheshin në orë formale, me ato oborre plot pluhur por dhe plot baltë, për të mos thënë shpesh pishina të vërteta dhe fjalët e tij vetëm retorikë boshe

Letër e hapur drejtuar Kryetarit të Bashkisë Durrës, z. Vangjush Dako

Nga Vaso Papaj**

 

Ndoqa me shumë interes ditën e parë të shkollës dhe, me keqardhje, ju tërheq vëmendjen lidhur me kontributin e munguar të Bashkisë në drejtim të arsimit, sa i takon territorit të qytetit.

Asgjë të re, as shkolla, as shtesa klasash, as palestra të reja, duke asfiksuar më tej mësimdhënien në klasa të tejmbushura dhe duke lenë zhvillimin e orëve të fizkulturës si 30-50 vite më parë.

Thuajse të gjitha projektet, e hartuara gjer para 5 vitesh e në vazhdim, kanë zënë pluhur në kushedi ç’sirtar të ndonjë zyre bashkiake.

Do të më falni nëse rendis më poshtë një sërë pyetjesh dashamirëse:

Ku është shkolla e re në territorin e shkollës “Jusuf Puka”, shkollë e madhe me 1 000 nxënës dhe palestër; kjo do ta vinte shkollën “Bedrie Bebeziqi” në dispozicion të bashkisë për zyra shërbimi në nevojë të qytetarëve?

Ku është rikonstruksioni i shkollës “Marie Kaçulini” në qendër të qytetit, ku dyshemetë dhe ambientet e saj anësore vetëm nxijnë; po palestra e saj e re?

Ku është shtesa e rëndësishme në shkollën, e tejmbushur, “14 Nëntori” dhe palestra e saj e re?

Ku janë palestrat e reja në shkollat “Qemal Mici”, “Demokracia”, “Met Hasa”, “Hajdar Dushi”, “Nënë Tereza”, “Isuf Ferra” dhe “Eftali Koçi”?

Ku është shtesa në gjimnazin, e mbingarkuar tashmë, “Naim Frashëri” dhe oborri i saj nën nivelin e rrugës që në dimër kthehet në liqen?

Ku është palestra dhe ndërhyrja në oborrin e gjimnazit “Olsi Lasko”, që mbytet nga shiu dhe në verë?

Ku është shkolla e re “Hasan Koçi” me palestrën e saj?

Po shkolla e re “Bajram Curri 2”, ku është, që s’po fillon akoma dhe për të cilën ka disa vite që është dhëne sinjali SOS?

Po rikonstruksioni i shkollës artistike “Jan Kukuzeli”, që duhej të ishte model, kur i mungon dhe elementi elementar në korridor: drita?.

E kështu do të kisha vazhduar pa fund, jo me keqdashje, konstatimet e një njeriu që jetoi ditën dhe natën me arsimin katër vitet e fundit të aktivitetit të tij shtetëror,

gjatë të cilit u ndërhy me investime të fuqishme në më shumë se 30 shkolla.

Nuk jam nga ata që durrsakët të më quajnë njeri që kërkon “qiqra në hell”.

Për afro 5 vite tashmë këto që përmenda më sipër, e sidomos palestrat, duhet të ishin ndërtuar të gjitha.

Këtë e thotë një njeri që lapsin e ka përdorur shpesh, ndonjëherë edhe si sondë apo matrapik, siç më thonë shpesh dashamirësit e poezisë.

Të paktën, sot, kur kryeministri i vendit mori nismën e shtimit të orëve të fizkulturës në shkolla (në parim, nisëm shumë pozitive), duhet të ishin ndërtuar të paktën palestrat, se ndryshe orët e fizkulturës, nga 2 në 3, do të ktheheshin në orë formale, me ato oborre plot pluhur por dhe plot baltë, për të mos thënë shpesh pishina të vërteta dhe fjalët e tij vetëm retorikë boshe.

Uroj që këto probleme që ngre, të shqyrtohen nga ana juaj duke kthyer tërë vëmendjen këtë vit të fundit të mandatit drejt arsimit.

Qëndrimin armiqësor ndaj arsimit askush nuk e fal në këtë qytet: as mësues, as drejtues të arsimit, as prindër, as nxënës, pra një opinion i tërë qytetar.

Duke shpresuar në një kthesë të vërtetë në drejtim të arsimit dhe të edukimit,

* Titulli është i redaksisë.

** Ish-drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale Durrës.