Mbrëmjen e djeshme, deri në orët e para të mëngjesit, efektivët e policisë së Durrësit, Krujës dhe Shijakut, kanë ngritur pika kontrolli, kryesisht në akset rrugore kryesore dhe dytësore, që paraqesin rrezikshmëri dhe që janë burim aksidentesh për përdoruesit e rrugës, me qëllim mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, kontrollin e mjeteve dhe personave mbi posedimin e ndonjë sendi të jashtëligjshëm, dokumentacionin e nevojshëm, dhe të atyre që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor apo janë nën efektin e alkoolit.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë qarkun e Durrësit, është arrestuar në flagrancë një shtetas, janë pezulluar 10 leje drejtimi për mungesë dokumentacioni dhe drejtues mjeti që drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit (në përqindje mesatarisht të ulët) dhe janë vendosur gjithsej 180 masa administrative.
Personi që u arrestua është Besnik Llani 42 vjeç, banues në Krujë, i cili u kap duke drejtuar mjetin tip Benz me targa TR 0074 J, pa leje drejtimi.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, bën me dije se do të vijojë kontrollet edhe në ditët në vijim dhe kërkon bashkëpunimin e të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë me rigorozitet Kodin Penal dhe rregullat e qarkullimit rrugor, pasi nuk do të ketë asnjë tolerim dhe çdo shkelës do të përgjigjet para ligjit.





