Pas plagosjes së një të riu një natë më parë në qytetin e Burrelit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, me mbështetjen e FNSh Shkodër kanë ushtruar kontrolle të befasishme në akset rrugore dhe në ambjente të ndryshme për këtë qëllim.
Si rezultat i këtyre kontrolleve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Leonard Kolaveri, 23 vjeç, banues në Burrel.
Ky shtetas, duke qarkulluar në qytet me motoçikletë, mbante me vete armë zjarri pistoletë pa leje. Kolaveri akuzohet për veprën penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit", parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.
Në vijim të kontrolleve, gjatë kontrollit të mjetit tip Benz, me drejtues shtetasin K. Z, 29 vjeç, banues në Burrel, poshtë sediljes së pasme të automjetit është gjetur një shkop bejzbolli.
Shtetasi K.Z, është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta", parashikuar nga neni 279 i Kodit Penal.
Gjithashtu në vijim të kontrolleve, në një lokal në pronësi të shtetasit S.K, 32 vjeç, banues në Burrel, janë gjetur një kreher fishekesh kapsolle detonatore dhe një shkop bejzbolli.
Shtetasi S.K, nuk ishte në lokal në momentin e kontrollit por vetëm punonjësit e lokalit, dhe është shpallur në kërkim për veprat penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit", si dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta", parashikiar nga nenet 278 e 279 të Kodit Penal.
Kontrolle të ngjashme do vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Dibër. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat për veprime të mëtejshme.





