Gjashtë vite pas daljes së ligjit kundër pirjes së duhanit në mjedise publike ka nisur reagimi nga Ministria e Shendetësisë dhe drejtoritë e shërbimit shëndetësor në qarqe. Ligji nr. 9636, datë 6.11.2006 “Për ndalimin e duhanit në mjedise publike” dhe ligji nr. 9518, datë 18.4.2006 “Për ndalimin e përdorimit të alkoolit nga të mitur” për gjashtë vite ka qenë thuajse inekzistent.
Kjo ka shtyrë strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë të dalin me një udhëzim për të krijuar Task-force në kujdesje të mbrojtjes së shëndetit nga produktet e duhanit dhe të të miturve nga produktet e alkoolit. Që nga 1 shtatori të gjitha lokalet në qytetin e Durrësit kanë kaluar në sitën e grupit të inspektorëve të cilët kanë hyrë në mënyrë të bëftë në shumë lokale, bare, restorante, hotele dhe institucione të tjera publike.
Nga kontrolli nuk kanë shpëtuar as bashkia, prefektura, qarku, spitali, shkolla, kopshte, laboratore e klinika. Përgjithësisht, në bazë të relacioneve që janë bërë të ditura deri më tani, mësohet se aksioni Task-forcës po jep efekte positive, pasi në të gjitha mjediset e ndalura për konsumimin e duhanit nuk janë vënë re shkelje të ligjit përkatës.
Task-forca do të qëndrojë në Durrës për një kohë të gjatë, ndërkohë që edhe drejtoria rajonale e shendetësisë ka nxjerrë në terren grupet e saj të verifikimit e të ndërgjegjësimit.
Task Forca
Drejtoria rajonale e shëndetësisë në Durrës ka nxjerrë në terren 7 grupe verifikimi. Në përbërje të çdo grupi ka një mjek dhe dy inspektorë të cilët kanë nën mbikqyrje lagjet sipas hartës së miratuar më parë. Nëndrejtori teknik Shpëtim Leka ka bërë të qartë se vetëm sektori i higjenës ka në terren për të mbikqyrur zbatimin e ligjit 5 mjekë higjenistë dhe 13 ndihmësinspektorë.
Mjekët mbikqyrin higjenën shkollore, të ushqimit, punës dhe atë komunale, ndërkohë që herë pas herë përgatisin relacione për gjithçka që kanë vënë re në terren. “Ne si shërbim higjene kemi vijuar punën tonë të përditshme në bazë të një plani pune mujore e vjetore që me daljen e ligjeve përkatëse, ndërkohë që Taskë-Forca ka afruar mbështetje të konsideruar gjatë këtyre ditëve”,- tha dr. Shpëtim Leka.
Ndonëse nuk është i ndjeshëm numri personave të ndëshkuar për shkelje të ligjeve të mësipërme, ajo që duket në terren ka të bëjë me ndërgjegjësimin e shumë bizneseve. Që nga fillimi i muajit shtator e deri më tani janë penalizuar me gjobë deri në 50 mijë lekë 4 subjekte. Shefi i shërbimit të higjenës, Shpëtim Leka, ka thënë se të ndëshkuarit me gjobë e kanë pasur rast të përsëritur shkeljen e ligjit.
“Ligji dhe inspektorët tanë nuk synojnë të ndëshkojnë qytetarin, por të ndërgjegjësojnë atë për dëmin që sjell pirja e duhanit në mjedise publike dhe konsumimi i alkoolit nga të mitur”,- është shprehur Leka. Ai ka përjashtuar kategorikisht rastet e pirjes së duhanit në mënyrë të kundërligjshme duke shtuar se për çdo shkelje ndëshkohet jo qytetari, por personi që ka numrin e Niptit, pra pronari i lokalit apo menaxheri i tij. Gjoba varion nga 50 mijë lekë deri në mbyllje të aktivitetit dhe një gjë e tillë u është bërë e ditur pronarëve të lokaleve.
7 grupe verifikimi operojnë në qytetin e Durrësit për të kontrolluar zbatimin rigoroz të ligjit antiduhan
4 subjekte janë ndëshkuar me gjobë për mos zbatim ligji, ndërkohë që kontrollet në terren vazhdojnë
50 mijë lekë gjobë ose mbyllje të aktivitetit tregtar në rast përsëritje është ndëshkimi për subjektet
Kontrollet
Më shumë se 2500 biznese të vogla e të mëdha kanë kaluar nën vëzhgim nga grupet e verifikimit të zbatimit të ligjit antiduhan dhe antialkool. Task-forca e ministrisë ka dhënë më shumë shtytje për të zbatuar ligjin, ndonëse ende fenomeni i pirjes së duhanit është i dukshëm. Që nga 1 shtatori volumi i punës është shtuar dukshëm si në drejtim të ndërgjegjësimit edhe të kontrollit. “Durrësi manifeston kulturë në zbatimin e ligjeve dhe përgjithësisht nuk kemi ndeshur në kundërshti,- pohon Leka,- por kjo nuk ka përjashtuar rastet e shkeljes së ligjit”.
Në jo pak raste pronarët e lokaleve vendosin vrojtues për të sinjalizuar ardhjen e grupit të verifikimit, të cilët përgjithësisht njihen. Gjatë një periudhe kohore pati zbehje në zbatimin e ligjit dhe kjo për arsye të mosndërgjegjësimit të opinionit qytetar. Një herë në muaj grupet e punës dorëzojnë relacionin me shkrim dhe në bazë të tyre bëhen edhe konkuzionet nga terreni për gjithçka të vënë në dukje nga inspektorët dhe ndihmësit e tyre.
Me fillimin e muajit shtator grupet e verefikimit e të kontrollit në terren punojnë me orë të zgjatura nisur edhe nga fakti se Durrësi është qytet bregdetar dhe i frekuentuar. Në rastet e ndëshkimit, gjoba thuajse është titull ekzekutiv. Kundërshtimi i pronarit të lokalit për të paguar gjobën bën që procesverbali të kalojë në duart e gjykatës dhe që andej në përmbarim pa qenë e nevojshme të bëhet seancë ballafaqimi me kundërvajtësin e ligjit.
Ka mjaft lokale apo institucione private e shtetërore, që nuk e respektojnë asnjërin nga ligjet. Leka e ka përjashtuar çdo gjë, por realisht në terren rastet nuk janë të pakta.